Gjendja shëndetësore e Lushtakut shtyn gjykimin për tenderin e KEK-ut

Sami Lushtaku shkoi sot në gjykatë për të treguar se nuk është mirë me shëndet, ndërsa gjykimi u shty.

Lajme

19/12/2017 10:35

Gjykimi për tenderin 6 milionësh të KEK-ut u shty, ngase njëri nga të akuzuarit- Sami Lushtaku tregoi se nuk ndihet mirë me shëndet.

Gjendjen jo të mirë të Lushtakut në fillim në gjykatë e tregoi avokati i tij Arianit Koci.

“Me keqardhje e informoj trupin gjykues se i mbrojturi im nuk e ndjen veten mirë. Për natyrën e sëmundjes së tij nuk mund të flas në një seancë publike, por është fakt notor që zoti Lushtaku ka probleme shëndetësore që disa vite”, tha Koci.

Avokati tregoi më tutje se gjendja Lushtakut i është përkeqësuar në mëngjes, por tregoi se ka insistuar që ai të vijë vetë në gjykatë për të sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.

Edhe Lushtaku, si avokati i tij, tregoi se gjendjen shëndetësore nuk e ka të mirë që një kohë të gjatë.

“Në vazhdimësi jam në trajtim mjekësor edhe këtu edhe në Shqipëri”, sqaroi Lushtaku.

Pastaj trupi gjykues aprovoi propozimin e avokatit Koci u për shtyrjen e kësaj seance.

Në këtë proces gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i Prokurimit në KEK Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare e nAzem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Tenderi 6 milionësh lidhej me sigurimin e objekteve të KEK-ut. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Ndryshe, në seancën e sotme parashihej të dëshmonin dëshmitarët Granit Hasani, Gazmend Elezaj dhe Ilir Gashi.

Seanca e radhës u caktua në shkurt të vitit 2018.

Përveç këtyre tre dëshmitarëve, për seancën e radhës ftohen edhe dëshmitarët Ardian Canolli, Osman Hajrizi, lumjan Tolaj, Bajri Nuredini, Alban Rushiti, Arber Krasniqi, Fatluk Berbovci, Hilmi Lushtaku, Agron Jusufi, Jeton Lushtaku./Kallxo.com