Gjendja e tmerrshme brenda spitalit të Ferizajt- Lagështi, ushqime të pasigurta e orendi të vjetra
Me të hyrë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt – rreth 30 kilometra larg Prishtinës – përballeni me një realitet të zymtë: grumbuj qytetarësh që presin para sallave të operacionit, të shqetësuar për familjarët e tyre. Shumë nga ta mbajnë në duar qese plastike, të mbushura me ushqime dhe pije. Stafi aty punon pandërprerë dhe…
Lajme
Me të hyrë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt – rreth 30 kilometra larg Prishtinës – përballeni me një realitet të zymtë: grumbuj qytetarësh që presin para sallave të operacionit, të shqetësuar për familjarët e tyre.
Shumë nga ta mbajnë në duar qese plastike, të mbushura me ushqime dhe pije.
Stafi aty punon pandërprerë dhe lëvizjet e tij pengohen shpesh nga vizitorët.
“Përse të gjithë këta njerëz në korridor?”, iu drejtua një infermiere rojës së sigurisë, teksa ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte i pranishëm aty, një paradite në fundtetor.
“Nuk kam se çfarë t’iu bëj”, iu përgjigj shpejt roja dhe infermierja u largua përmes korridorit të ngushtë.
Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj është njëri prej shtatë spitaleve rajonale të Kosovës, të cilat funksionojnë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Ky spital posedon disa reparte, përfshirë: Emergjencën, Pediatrinë, Kirurgjinë, Gjinekologjinë, Ortopedinë e të tjera.
Kushtet në shumë dhoma që i ofrojnë këto shërbime, nuk duken të mira.
Në ambientet e Gjinekologjisë kishte rrjedhur ujë nëpër mure nga shiu. Në Kirurgji, bombolat e oksigjenit dukeshin në korridore, në mungesë të sistemit të instaluar në mure.
“Kushtet janë kështu siç po i shihni edhe vetë. Çka të bëj?”, i tha Radios Evropa e Lirë Z.M., një paciente e shtrirë në Ortopedi.
Ngjashëm, edhe në këtë repart dollapët ishin të dëmtuar dhe muret jo të mirëmbajtura.
“Kujdesi është mirë, por me mua rri këtu edhe vajza ime”, tha Z.M., e cila priste t’i nënshtrohej operacionit për këmbën e thyer.
Ortopedia nuk ka sallë të veçantë për operacione, por shfrytëzon ato të përbashkëtat dhe i ka në dispozicion dy ditë në javë.
Në disa ambiente të spitalit mund të vërehen edhe improvizime, si për ofrimin e shërbimeve, ashtu edhe në vend të riparimeve.
Kushtet jo të mira në këtë spital i nxori në pah edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e sivjetmë.
“Në objektin ku aktualisht është duke funksionuar spitali i Ferizajt, reparti i Kirurgjisë dhe i Urologjisë përdorin dy salla operative – secili i ka ditët e caktuara dhe ndajnë sallat edhe me repartin e Otorinolaringologjisë. Reparti i Ortopedisë kishte improvizuar një sallë operative, por që nuk i plotëson kushtet elementare për punë, sepse fizikisht është larg dhomave të pacientëve, larg dhomës së sterilizimit. Kjo paraqet rrezik për infeksione për pacientët që operohen në këtë repart”, u tha, mes tjerash, në raport.
Udhëheqësit aktualë të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj thanë se SHSKUK-ja është në dijeni për kushtet aty.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Fikret Arifi, tha se po bën përpjekje që me buxhetin që ka, t’i bëjë disa rinovime.
Në SHSKUK nuk deshën të flasin shumë, vetëm se pranuan se “kushtet aty nuk janë të mira”.
“Edhe në ato kushte, aty trajtohen raste dhe kryhen operacione të shumta”, tha një zyrtar i SHSKUK-së.
Javën e kaluar, Radio Evropa e Lirë raportoi edhe për mungesën e biokimistëve në spitalin e Ferizajt për më shumë se tre vjet.
Arifi tha se punën e tyre aty e kryejnë kryesisht laborantët.
E, me kushte njësoj të rënda, ndoshta edhe më keq, duket kuzhina e spitalit, nga e cila ushqehen pacientët.
E vendosur në një ambient të mbyllur, pa ajrosje, me myk e lagështi, kuzhina ishte e stërmbushur me orendi të vjetra dhe me artikuj të lënë vend pa vend.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë pa frigoriferë që nuk mbylleshin dhe ushqime, si mish pule, që duhen ruajtur në temperatura të ftohta, por që ishin lënë jashtë frigoriferëve.
Në kushte anonimiteti, stafi i tha REL-it se mjekët dhe infermierët nuk ushqehen prej aty – “edhe kur ushqehen, marrin vetëm bukë e djathë”.
Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka inspektuar këtë kuzhinë dhe në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se “kushtet higjieno-sanitare ishin mesatarisht të mira”.
Sipas Inspektoratit, kuzhina ka pajisje ftohëse funksionale, por është në procedurë të furnizimit edhe me të tjera.
Inspektorati tha se “ka dhënë vërejtje me afat të caktuar për ngritjen e nivelit të higjienës, për vendosje të rrjetave në dritare në hapësirën e punës dhe për ventilim më të mirë”.
Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për temperaturën e lartë në kuzhinë dhe për mënyrën se si ruhen apo renditen ushqimet.
Problematikat e tilla nuk janë të pranishme vetëm në spitalin e Ferizajt.
Edhe spitale të tjera në Kosovë përballen me sfida të ngjashme infrastrukturore dhe menaxheriale.
REL-i ka raportuar disa herë për mungesë barnash, papastërti, e pritje të gjata për shërbime.