Gjendja e rëndë e stadiumit të Vushtrrisë, nga i cili doli talenti i rrallë i Kosovës

Milot Rashica dëshmoi edhe një herë se viti 2019, është viti më i mirë i karrierës së tij, duke përfshirë paraqitjet te Werder Bremen e po ashtu edhe te Kosova.

Sport

11/06/2019 17:01

Djaloshi i Artë, me një paraqitje të jashtëzakonshme ndihmoi Kosovën në fitoren e parë kualifikuese për Euro 2020, duke e mposhtur 2:3 Bullgarinë në Sofje.

Rashica përveç golit të parë në këtë ndeshje, u përkujdes të dhuronte edhe një asistim në fund të ndeshjes te Elbasan Rashani, që shënoi për fitoren historike të Kosovës.

Me gola dhe asistime, mund të përshkruhet i gjithë viti 2019 për Milot Rashicën, që ishte lojtari kryesor te Werder Bremen.

Ky sukses në rritje për Rashicën, nuk ka ardhur aspak rastësisht, por është rrugëtim i gjatë që ka filluar nga qyteti i lindjes në Vushtrri, me të cilën skuadër si një i ri fitoi edhe Superligën e Kosovës.

Te Kosova e Vushtrrisë, kushtet për punë nuk kanë qenë më të mira, por talenti dhe dëshira e madhe për punë, kanë sjellë Rashicën në një nivel të lartë në futbollin evropian.

Sporti në Klan Kosova, është përkujdesur sot që të publikoi disa fotografi të stadiumit të Vushtrrisë, në të cilën ka stërvitur dhe luajtur Milot Rashica.

Në ato fotografi, shfaqet një gjendje e mjerueshme e atij stadiumi, që tregon se ku është stërvitur talenti i rrallë i Kosovës, dhe se vetëm puna e madhe e ka sjellë atje ku është sot./Lajmi.net/