Gjendet i mbytur në Beograd një shqiptar nga Bujanoci

Policia kriminalistike e Beogradit ka identifikuar një trup njeriu që u gjet të martën padite me tulla betoni rreth këmbëve dhe me ngjitës selotejpi rreth syve afër një ure të lumit Sava afër kryeqytetit serb Beograd. Sipas policisë, bëhet fjalë për Xhemshit Demirin, 34-vjeçar, nga Bujanoc

Lajme

12/06/2014 20:13

Ekspertët mjeko-ligjorë serbë kanë konstatuar se trupi i të ndjerit ka qëndruar në ujë 10-14 ditë, kurse policia konsideron se ai është rrahur para se të mbytej në ujë, raporton gazeta serbe Blic.

Nuk dihet akoma nëse ai është hedhur në lumë i gjallë apo i vdekur, por njofton se ai nuk ka pasur adresë të paraqitur në Beograd. Thuhet se ai ka qenë i njohur për policinë më parë për shkak të vjedhjes dhe thyerjes së automjeteve.  

“Zhdukja e tij nuk është paraqitur. Në këtë moment po tentojmë të konstatojmë se ku është parë ai për herë të fundit i gjallë. Sipas të gjitha gjasave krimi nuk ka ndodhur në Beograd dhe as rrethina të tij”, tha policia.

Policia është duke tentuar të gjejë familjarët e Xhemshitit dhe po zhvillohen hetimet.

Sipas informatave të para jozyrtare, Xhemshiti është rrahur dhe pastaj është hedhur në lumë. Ende nuk dihet nëse ai është hedhur në lumë i gjallë, por besohet se ai ka dhënë shenja jete, por pastaj është mbytur nga përmbytjet e atyre ditëve, kur niveli i lumenjve në Serbi ishte rritur dukshëm.