Gjendet 27 vjeçarja e marrë peng, arrestohet autori (Video)

Një 27-vjeçare është marrë peng mbrëmjen e sotme te “Unaza e Re” në Tiranë. Policia bën me dije se identiteti i vajzës së rrëmbyer është Katerina Herektel, me nënshtetësi gjermane.

Lajme

01/03/2015 23:28

Kanë qenë prindërit, ata të cilët kanë bërë denoncimin në polici rreth orës 20:00.

Mësohet vajza është marrë me forcë nga një lokal dhe është futur me dhunë në një automjet me dy persona. Ata janë larguar me automjetin e 27-vjeçares, tip “Hyundai”, me targa TR 1613 U.

Pas rrëmbimit, automjeti është braktisur dhe është gjetur i përmbysur në afërsi të shinave të trenit në zonën e Vorës, në vendin e quajtur Ura e Limuthit, në autostradën Tiranë-Durrës.

Policia është vënë në kërkim të autorëve me qen dhe ka mundur të gjejë vajzën dhe rrëmbyesin, rreth 400 metra nga vendi ku ishte braktisur mjeti. Sipas policisë, vajza po tërhiqej nga shtetasit Hamdi Berisha dhe Shkëlqim Berisha. Në pranga ka rënë Hamdiu, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka arritur të shpëtojë.

Policia ka shoqëruar vajzën dhe rrëmbyesin e saj në dy mjete të ndryshme për në Komisariatin Nr. 6, ku do të japin dëshmitë e tyre. Dyshimet e para të policisë flasin se të dy ata kanë pasur një lidhje, por ishin ndarë prej kohësh dhe Erekter jetonte në Tiranë.

Sipas policisë, pengmarrësi Berisha pretendon se vajza i kishte vjedhur atij bizhuteri dhe një sasi parash. Policia po verifikon nëpërmjet policisë gjermane dhe asaj kosovare të dhëna të mundshme mbi ta, raportojnë mediat në Tiranë.

 

YouTube player