Gjenden dy turistët e humbur në malin Korab në Shqipëri

22:04 | 1 Prill 2016

Dy turistë, një francez dhe një çek, që kishin humbur në malin e Korabit u gjetën pas një operacioni kërkimi ku morën pjesë 40 policë dhe banorë të zonës.

Turistët kishin qëndruar në një bujtinë në fshatin Radomirë dhe një ditë më parë ishin nisur drejt malit të Korabit, shkruan Top Channel.

Pronari i bujtinës u kishte sugjeruar turistëve që të merrnin shoqërues, por ata nuk kishin pranuar pasi do të ktheheshin.

Pasdite pronari i bujtinës, i shqetësuar, njoftoi policinë, e cila nisi kërkimet.

Të premten, rreth orës 13.00 ata u gjetën në dëborë. Turistët deklaruan se kishin vendosur të qëndronin atje për shkak se nuk kishin mundur të ktheheshin nga bora, por nuk kishin mundur as të telefononin.

Forcat policore kërkuan gjithë natën në lartësi të mëdha të mbuluara nga dëbora.