Gjenden 196 trupa të aeroplanit të rrëzuar në Ukrainë

Punëtorët e emergjencës në Ukrainë thonë se deri më tani kanë gjetur 196 trupa në vendin e rrrëzimit të aeroplanit të linjës Malajzia MH17.

Bota

20/07/2014 13:45

298 persona ishin në bordin e këtij aeroplani, i cili thuhet të jetë goditur nga një raketë mbi zonën e Donetskut, në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët.

Vendet perëndimore kanë kritikuar ashpër kufizimet e imponuara nga rebelët, të cilët nuk po lejojnë ekipet hetuese të afrohen në vendin e rrëzimit të aeroplanit, dhe tashmë po i kërkojnë Rusisë që t’iu bëjë presion rebelëve në mënyrë që ekipet ndërkombëtare të kenë qasje në atë zonë, raporton BBC.

Departamenti i Shtetit amerikan ka marrë shumë raporte që thonë se pjesë të aeroplanit janë duke u larguar nga rebelët me qëllim të zhdukjes së dëshmive.

Të paktën 160 trupa janë ngarkuar në karroca nga rebelët në qytetin e Torez, thonë raportet e OSBE-së, por ende është e paqartë se kush ka qasje tek ato trupa.

Rusia, ndërkaq, ka mohuar çdo lloj lidhje me këtë ngjarje.

(Lajmi.net)