Gjatë kësaj jave mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës
Gjatë së enjtes dhe së premtes së kësaj jave deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen dy herë.

Lajme
Në seancën e rregullt të së enjtes pritet të miratohen një sërë projektligjesh dhe marrëveshje ndërkombëtare të mbetura pezull tash e një kohë. Ndërkaq në Ditën e Çlirimit të Kosovës, legjislativi do të mbajë një seancë solemne.
Kjo u bë e ditur nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
“U pajtuam të mbajmë seancë të rregullt të enjten, ku do të shqyrtohen një sërë vendimesh dhe projektligjesh. Vendimi i parë ka të bëjë me tejkalimin e lejuar sipas ligjit për menaxhimin e financave publike që e krijon një bazë të nevojshme ligjore të menaxhimit të pandemisë nga aspekti ekonomik, kurse vendimet e tjera që të gjitha lidhen me marrëveshje ndërkombëtare. Ka projektligje që ka një kohë po presin në Kuvend. Për fat të keq, në mungesë të konsensusit nuk kalonin”, tha Osmani, raporton KP.
Por në lidhje me këto shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi tha se u shpërfaqë qasje joparimore e shumicës siç tha jo legjitime.
“Ajo që sot u shpërfaq sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është qasja jo parimore e shumicës së krijuar jo legjitime në Parlamentin e Kosovës. Ne sot futëm në agjendë të gjitha nismat që pothuajse të njëjta grupe parlamentare i kishin kundërshtuar. Ato nisma që i kishin bllokuar gjatë pandemisë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me masa në mbrojtje të qytetarëve, e që atëherë i kanë bllokuar, sot i kanë sjellë për t’i proceduar në Kuvend” , tha Selimi.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci tha se sot u dëshmua që PDK-ja dhe partitë tashmë në pushtet janë në të njëjtën linjë.
“Sot u dëshmua ajo që PDK-ja dhe partitë tjera ndonëse po mundohen të paraqiten që kanë qëndrime të kundërta janë në të njëjtën linjë. Qëllimi i tyre i vetëm ishte që të rrëzonin qeverinë legjitime, Kurti”, tha Nagavci.