Gjashtë shtete drejt njohjes
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se gjashtë shtete, me të cilat ka kontaktuar Ministri Enver Hoxhaj, janë afër njohjes së Kosovës. Në këtë listë janë Kameruni, Maroku, Algjeria, Mozambiku, Republika Suriname dhe Kazakistani.
Lajme
Në ditën e tretë të Samitit të vendeve të Organizatës së bashkëpunimit Islamik ka takuar homologët dhe përfaqësuesit e disa vendeve anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë njohur Kosovën si Kameruni, Maroku, Algjeria, Mozambiku, Republika e Surinameve dhe Kazakistani.
Ministri Hoxhaj i ka dorëzuar kërkesën për njohje ministrit të Shtetit të Kamerunit, Adoum Garagoum, me të cilin po ashtu kanë biseduar për nevojën e vendosjes edhe të marrëdhënieve diplomatike pas njohjes së Kosovës.
Kërkesën për njohje, ministri Hoxhaj ua ka dorëzuar edhe homologëve dhe përfaqësuesve të Marokut, Algjerisë, Mozambikut, Republikës së Surinameve dhe Kazakistanit.
… me përfaqësuesin e Republikës Suriname
“Disa ministrave të Jashtëm që i kam takuar ua kam dorëzuar kërkesën për njohje të Kosovës edhe pse kontakte dhe komunikime kam pasur edhe më herët. Tani janë shumë më të informuar dhe mora premtimet që kërkesat do të shqyrtohen nga qeveritë e tyre përderisa ka vende të cilat do të lëvizin shumë shpejt drejt njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve dhe të dërguarit special në OBI e kanë siguruar ministrin Hoxhaj për një qasje proaktive të vendeve të tyre në raport me Kosovën dhe njohjen e saj.
Temë tjetër diskutimesh ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe homologëve të tij ka qenë edhe vendosja dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve përtej njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Kryediplomati kosovar ka takuar edhe ministrat e jashtëm të Egjiptit dhe Gambisë, të cilët i ka falënderuar për njohjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Kosovës muajve të fundit.
…me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OBI
Po ashtu, Hoxhaj ka takuar edhe përfaqësuesin special amerikan në OBI, Rashad Hussain, ndërsa ka darkuar me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OBI’t, që merr pozitën prej janarit, Iyad Madani.
Në përmbyllje të Samitit, ministri Hoxhaj pritet të mbajë një fjalim ku do të kërkojë njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe t’i njoftojë me progresin e shënuar në Kosovë në muajt e fundit.
Po ashtu, në agjendën e punës të Samitit pritet të miratohet edhe një Rezolutë për Kosovën që bën thirrje për njohje nga vendet islamike, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.