Gjashtë muaj burg, lejoi të votohet në emër të të vdekurve
Gjykata e Apelit ia ka ashpërsuar dënimin H.Fazliut nga Drenasi, i cili ishte i dënuar me gjobë prej 900 euro për mashtrime me vota gjatë zgjedhjeve të vitit 2010.
Lajme
Fazliu kishte qenë anëtar i këshillit të një vendvotimi në fshatin Tërstenik të Drenasit dhe ka lejuar të votohet në emër të dy personave të vdekur dhe një personi që ndodhje jashtë shtetit.
Kështu, Gjykata e Apelit i zëvendësoj H.Fazliut, masën prej 900 ( nëntëqind) eurosh gjobë të shqiptuar nga shkalla e parë, në 6 (gjashtë muaj) burgim.
“Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh vendor i Gjykatës së Apelit, vendosi ta aprovoj ankesën e Prokurorisë Publike Komunal në Prishtinë, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin ndaj të akuzuarit H. Fazliu, i shpallur fajtor për veprën penale- mashtrim në votime sipas nenit 180 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës, nga ana e Gjykatës Komunale në Gllogoc me 01.06.2011”, thuhet në njoftimin që ka ardhë nga Gjykata.
Gjykata vlerësoj se mënyra e kryerjes së veprës penale, vendi dhe rrethanat në të cilat është kryer, janë të natyrës se tillë që paraqesin intensitet të rrezikshmërisë shoqërore, pasi që krijojnë të qytetarët pasiguri në ushtrimin e së drejtës se votimit, e drejtë kjo e siguruar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe konventa ndërkombëtare.
Kolegji po ashtu konstatoj se një dënim aq i butë i shqiptuar nga ana e Gjykatës Komunale në Drenas, ndaj të pandehurit nuk është në funksion të preventives gjeneralë dhe nuk i shërben qëllimit të dënimit.