Gjasa të larta për sulm të ri në Francë

Gjashtë celula terroriste islamike mund të jenë ende në qarkullim dhe të gatshme të sulmojnë Francën në çdo moment. Paralajmërimet e policisë mbrëmjen e së hënës erdhën pak pas vendimit të qeverisë për të dislokuar 10,000 trupa shtesë në rrugët e Parisit, si dhe pohimit të kryeministrit Manuel Valls, i cili tha: “Jemi në luftë!”.

Bota

13/01/2015 16:49

Sipas Valls, nuk ka dyshim që ekzistojnë bashkëpunëtorë të sulmeve të përgjakshme të javës që shkoi në kryeqytetin francez. Shërbimet e sigurisë në të dy krahët e La Manshit (Francë e Britani të Madhje) e pranojnë se gjasat e sulmeve të tjera terroriste janë shumë të larta. Një prej të dyshuarve në Francë është parë të ngasë një Mini Cooper, makinë e regjistruar në emrin e Hayat Boumeddiene, partnerja e Amedy Coulibaly të vrarë nga policia të premten, pas ekzekutimit të një oficere dhe katër pengjeve në supermarketin hebraik.

Mendohet se 26-vjeçarja ka ndihmuar në organizimin e masakrave në Paris. Edhe pse pas episodeve të dhunës, në Francë ajo kërkohej me qiri dhe pishë, Boumedienne ishte larguar drejt Sirisë që në 2 janar e tani duhet të jetë pikërisht atje, në krah të luftëtarëve të IS-it. Kamerat e sigurisë e regjistruan vajzën në një aeroport të Stambollit, ku nuk ishte vetëm, por e shoqëruar prej një tjetër qytetari francez, 23-vjeçari Mahdi Sabri Belhoucine.

Autoritetet turke justifikohen duke thënë se nuk kishin marrë asnjë informacion apo paralajmërim nga kolegët francezë, ndaj kanë vulosur pasaportën e 26-vjeçares dhe e kanë lënë të kalojë. Në sfidë e radhës ndaj rrezikut është edhe fakti se revista satirike Charlie Hebdo do të nxjerrë të mërkurën numrin e ardhshëm dhe në faqe të parë do të ketë një tjetër karikaturë të profetit Muhamed.

Profeti shihet aty duke mbajtur një pankartë me shkrimin e kthyer në simbol të solidaritetit në Francë “Je Suis Charlie”, ndërsa figura do të shoqërohet me diçiturën “janë falur të gjitha”.