Gjakmarrja, vritet babai, plagoset djali dhe kushëriri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku gjakmarrja i ka marrë jetën një personi, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi janë qëlluar me armë zjarri.  

Lajme

06/06/2014 23:11

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Bahçallëk” të Shkodrës, ku ka humbur jetën shtetasi Enver Barbullushi, ndërsa kanë mbetur të plagosur djali i tij, Samet Barbullushi dhe kushëriri Nezi Shega. 

Policia bën të ditur se, babë e bir dhe kushëriri ishin ulur në një lokal, pranë tregut të makinave, ku persona të paidentifikuar pasi kanë hyrë brenda ambienteve të lokalit kanë qëlluar në drejtim të tyre me automatik. 

Fillimisht që të tre kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Shkdërs, por Enveri ka humbur jetën rrugës për në spital, pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. 

Enver Barbullush nuk ka mundur të mbijetojë pasi ishte qëlluar me plumb në kokë. 

Ndërsa, Samet Barbullushi dhe Nezi Shega ndodhen në spitalin rajonal të Shkodrës në gjendje të rëndë. 

Autorët pasi kanë qëlluar mbi viktimat janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. 

Dyshohet se shkaku kryesor i krimit është gjakmarrja e familjes Barbullushi.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, ku ka bërë të ditur se autorët kanë qenë me një makinën tip “Golf”, me të cilën janë larguar menjëherë pas krimit. Gjithashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov. 

Makina e autorëve të vrasjes është gjetur nga policia e djegur 5 kilometra në dalje të Shkodrës. Blutë e Shkdërs kanë ngritur postblloqe në të gjithë rrugët e qytetit dhe po kryejnë kontrolle nëpër banesa. Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. (shekulli)