Giuffreddi zbulon se ku mund të transferohet Hysaj

Mario Giuffreddi në një prononcim për portalin “CalcioNapoli24” ka zbuluar se janë tre klube të Premier Leagues që kanë shfaqur interes konkret për lojtarin e kombëtares sonë.

Sport

01/05/2018 13:49

Napoli e preku trofeun e titullit kampion, por disfata në Firenze dhe suksesi i Juventusit në derbin e Italisë, e kane thërrmuar ëndrrën e të kaltërve dhe një ndër lojtarët më të zhgënjyer është mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare Elseid Hysaj.

24-vjeçari me fanellën e kaltër u shndërrua në një ndër futbollistët më të mirë të linjës së djathtë, megjithatë e ardhmja e shkodranit mund të jetë larg Napolit.

Menaxheri i Hysajt, Mario Giuffreddi në një prononcim për portalin “CalcioNapoli24” ka zbuluar se janë tre klube të Premier Leagues që kanë shfaqur interes konkret për lojtarin e kombëtares sonë.

“Hysaj tek Chelsea? Elseidi kërkohet nga shumë klube në Premier League, madje 3 prej tyre kanë kryer lëvizje konkrete, megjithatë duhet parë sa të gatshëm janë për të paguar klauzolën e tij”, ka deklaruar Giuffredi, duke parashtruar edhe pikën kryesore të negociatave, që është pikërisht klauzola e largimit që Hysaj ka në kontratën e tij aktuale me klubin napoletan, transmeton “Super Sport”.

Më 2016-ën mbrojtësi kuqezi zgjati marrëveshjen me Napolin deri në vitin 2021 me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, ndërsa në kontratë u përfshi edhe klauzola prej 50 milionë eurosh. Gjatë merkatos së verës, emri i Hysajt u përmend si pjesë e listës së dëshirave të Chelseat dhe Manchester Unitedit.