Giresse thotë se konkurenca te Kosova është “fatkeqësi” për Ermal Krasniqin

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse është duke folur në një konferencë për media në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Izraelit dhe Andorrës. “Dardanët” do ta nisin ciklin kualifikues me ndeshjen e parë kundër Izraelit në udhëtim më 25 mars, ndërkaq tri ditë më vonë luajnë në Prishtinë kundër Andorrës. Trajneri…

Sport

20/03/2023 11:33

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse është duke folur në një konferencë për media në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Izraelit dhe Andorrës.

“Dardanët” do ta nisin ciklin kualifikues me ndeshjen e parë kundër Izraelit në udhëtim më 25 mars, ndërkaq tri ditë më vonë luajnë në Prishtinë kundër Andorrës.

Trajneri francez tha se konkurenca te “Dardanët” është “fatkeqësi” për Ermal Krasniqin, ish-lojtarin e Ballkanit që tani po kalon momente të mira te Cluj.

“Ermal Krasniqi është lojtar që e vlerësojmë me potencial të madh. Fatkeqësia e Ermal Krasniqit është se në pozitën e tij luajnë lojtarë me më shumë përvojë. Mundësia që Krasniqi të ftohet të ardhmen te Kosova është e madhe. Nuk po i mohojmë kualitetet e tij”, tha Giresse në konferencë për media, shkruan lajmi.net.

“Fakti që e kemi një lojtar të grumbulluar si Arbnor Muja, shembulli i tij do të shërbejë për lojtarët e tjerë. Ftesa për Mujën është për të treguar se lojtarët tjerë mund të ftohen të ardhmen”, shtoi ai.

Kosova është në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën./Lajmi.net/