Giggs takon Van Gaalin

Ryan Giggs qëndroi në Noordwijk, ku u takua me selektorin e Holandës, Louis van Gaal i cili pritet të emërohet menaxher i ri i Manchester Unitedit. Ata diskutuan për të ardhmen e uellsianit në Old Trafford.

Sport

14/05/2014 19:41

Ryan Giggs ishte në Holandë për të zhvilluar bisedime me menaxherin e ardhshëm të Manchester Unitedit, Louis van Gaal, të mërkurën mbrëma, ka njoftuar tabloidi britanik Daily Mail.

Menaxheri i përkohshëm i gjigantit nga Old Trafford u takua me holandezin në Noordwijk, pranë vendit ku është duke u përgatitur Kombëtarja e Holandës, dhe ata duket se diskutuan të ardhmen e uellsianit në klub.

40-vjeçari u fotografua duke u larguar nga hotel Van Oranje, pas mesnatës.

Van Gaal pritet të emërohet si pasardhës i David Moyesit brenda kësaj jave, kur klubi do të prezantojë edhe stafin teknik të 62-vjeçarit.