Gërxhaliu: Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

19:47 | 13 Korrik 2017

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Lexoni edhe:

Veprimet për Union Ekonomik të Ballkanit janë të paefektshme pa njohjen e Kosovës