Gërvalla priti në takim delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës që po qëndron për vizitë fakt-mbledhëse në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite fakt-mbledhëse. Zhvillimet e fundit në vend dhe të arriturat e shënuara nga vendi ynë ishin elementet për…

Lajme

05/12/2023 22:12

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite fakt-mbledhëse.

Zhvillimet e fundit në vend dhe të arriturat e shënuara nga vendi ynë ishin elementet për të cilat Gërvalla e njoftoi këtë delegacion, transmeton lajmi.net.

“Gërvalla në këtë takim shprehi gatishmërinë dhe vendosmërinë e Institucioneve të Kosovës për të vazhduar në fazat vijuese të anëtarësimit, përderisa nënvizoi edhe përfitimin e drejtpërdrejtë që qytetarët e Kosovës, pa dallim, do të gëzonin nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate, me theks të veçantë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Vizitës fakt-mbledhëse të raportueseve nga dy Komitetet përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Azadeh Rojhan dhe znj. Béatrice Fresko-Rolfo, i parapriu vizita e znj. Bakoyannis si raportuese kryesore për përgatitjen e Opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila qëndroi në Kosovë në fillim të muajit nëntor.

Pas votimit të Opionionit të znj. Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave vendos se kur të ftojë Kosovën si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.​