Gërvalla nuk pushon me deklarata: Nuk e zbatojmë draftin e BE-së për Asociacionin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova nuk ka mundësi ta trajtojë çështjen e Asociacionit veç në Bruksel. Kjo pasi sipas saj, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë zotuar për dy marrëveshje, atë të shkurtit të vitit të kaluar dhe marrëveshjen për sekuencimin dhe implementimin e kësaj marrëveshjeje në mars. “Prandaj…

Lajme

24/05/2024 21:57

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova nuk ka mundësi ta trajtojë çështjen e Asociacionit veç në Bruksel.

Kjo pasi sipas saj, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë zotuar për dy marrëveshje, atë të shkurtit të vitit të kaluar dhe marrëveshjen për sekuencimin dhe implementimin e kësaj marrëveshjeje në mars.

“Prandaj një draft që na është dorëzuar nga Lajçaku lidhur me një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, shihet vetëm në kuadër të pakos së bashku me ato dy kërkesa, ato dy marrëveshje të cilat i kemi bërë. Nxjerrja e Asociacionit nga kjo pako nuk ka asnjë kuptim, prandaj nëse ne mendojmë që Asociacioni është temë e dialogut në Bruksel, atëherë duhet ta trajtojmë si pjesë të pakos në Bruksel”, tha Gërvalla për “Zërin e Amerikës”, transmeton Klankosova.tv.

Ajo foli edhe për variantin e Asociacionit të cilin e ka propozuar Bashkimi Evropian, për të cilin tha se ai është sjellë në kuadër të pakos së përgjithshme në Bruksel.

“Dhe vetëm në atë sens, në atë kontekst mund të shihet ai draft pa gjykuar se a është i mirë apo është i keq. Ne kemi dërguar komentet tona; nuk kemi marrë ende përgjigje për komentet që kemi dërguar lidhur me atë draft dhe ato i kemi dërguar menjëherë vjeshtën e kaluar”.

“Ndërsa nëse e shohim që qenka kaq urgjente çështja e një formati të cilin komuniteti serb do të mund të kishte një vetorganizim brenda ligjeve dhe brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë në vend që të presim një proces të cilin Serbia e bllokon në çdo hap dhe nuk e pranon si të tillë, ne do të duhej të uleshim dhe do të duhej ta zgjidhnim vet. Në këtë pikë kemi qenë, kjo ka qenë oferta jonë. Të mos presim bllokadat”, tha Gërvalla, transmeton Klankosova.tv.

Gërvalla më tej tha se Kosova s’do ta zbatojë atë draft i cili është në kuadër të procesit të dialogut, pa u zotuar Serbia që ajo do të zbatojë pjesën e saj të punës.

“Ne nuk do ta zbatojmë atë draft i cili është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat – ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë, por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë”, tha ajo.