Geci i dyshuar për sulmin fizik ndaj Sylës

Policia e Kosovës thotë se rreth orës 13:55 ka pranuar një informacion se në rrugën “Ahmet Delija” të Skenderajt, ka ndodhur një rrahje në progres. Sipas informacioneve të para policore dyshohet se është sulmuar fizikisht Deputeti i PDK’së Azem Syla.

Lajme

28/10/2013 18:52

Policia e Kosovës thotë se Gani Geci është një nga personat e dyshuar për incidentin që ka ndodhur sot në qytetin e Skenderajt.

Sipas policisë, rreth orës 13:55 është sulmuar fizikisht deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla nga disa të dyshuar, midis të cilëve është edhe Geci.

“Me 28 tetor 2013, rreth orës 13:20 në Sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj ka filluar të mbahet tubimi përmbyllës i fushatës parazgjedhore i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili  tubim ka përfunduar rreth orës 13:45, pa asnjë incident”.

“Rreth orës 13:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Ahmet Delija’të Skenderajt, ka ndodhur një  rrahje në progres ku sipas informacioneve të para dyshohet se është sulmuar fizikisht deputeti i PDK’se Azem Syla dhe Adnan Koci, truproje i Deputetit Gani Koci”.

“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se personat e dyshuar janë Gani Geci me  disa anëtarë të familjes së tij, ku njëri prej tyre dyshohet se ka mbajtur armë në dorë”.

“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se në vend ngjarje ka ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri, por mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti”.

“Sipas informacioneve te deritanishme nga tereni nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur”.

“Njësitet relevante policore kanë reaguar me urgjencë në vendngjarje dhe kanë arritur ta vejnë situatën nen kontroll, ku gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit”.

“Për të gjitha veprimet policore është informuar prokurori përkatës dhe për informacione të mëtutjeshme do të ju mbajmë të informuar”.