Gecaj sqaron se çfarë ndodhi në kuvendin e nëndegës së LDK-së

Dega e dytë e LDK-së, përkatësisht një nëndegë e saj, sot kishte planifikuar që të mbante kuvendin për zgjedhjet e brendshme.

Lajme

10/04/2019 20:23

Ndonëse ishte paraparë që sot të mbahej kuvendi i delegatëve të degës së dytë të LDK-së në nëndegën e saj në zonën më të vjetër të Prishtinës, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në medie u raportua se ky kuvend u ndërprerë për shkak se mes anëtarit të kryesisë së degës së dytë të LDK-së, Bajram Gecaj, dhe djalit të Fatmir Sejdiut kishte pasur përplasje.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar vet Gecaj për lajmi.net.

Ai ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë përplasje apo përleshje.

“Jo, jo. Absolutisht nuk ka pasur probleme te tilla me asnjë person. Problemi ka qenë se ne nuk kemi qenë të përgatitur për një masë të tillë”, ka deklaruar Gecaj për lajmi.net.

Sipas tij, arsyeja e vetme që është anulua ky kuvend ka qenë për shkak të numrit të madh të delegatëve, të cilët sipas tij, disa as nuk ishin delegatë të LDK-së.

“ Nuk ka pasur kurrfarë tensionesh e as konflikti brenda. Sepse është informuar gabimisht prej dikujt se ka pasur tensione. Problemi ka qenë se kanë qenë mbi 200 pjesëmarrës edhe kjo për nëndegë është e jashtëzakonshme. Për tubimet e nëndegëve kjo është e jashtëzakonshme. Ne nuk kemi qenë të përgatitur për një pjesëmarrje të tillë. Edhe pastaj ka pasur zëra që ka njerëz që nuk janë të nëndegës sepse aty duhet të hyjnë vetëm individ që banojnë në një nëndegë, edhe ka pasur shumë zëra që nuk janë njerëz të nëndegës. Ne nuk jemi përgatitur as me zërim, për tubime të tilla duhet me pas kompjuter, printer e shumë e shumë gjëra që duhen por, nuk i kemi përgatitur sepse nuk e kemi mendu që do të jenë aq shumë persona sepse në nëndegët e tjera që i kemi mbajtur dy tubime deri më tash, nuk ka shkuar numri mbi 100. E sot për shkak të numrit të madh edhe jemi mbledhur kryesia e degës dhe e nëndegës edhe kemi vendosur që të shtyjmë këtë takim edhe me u mbledh me vendos me u organizu ma mirë për herën tjetër”, ka treguar Gecaj për lajmi.net.

Gecaj po ashtu ka thënë se ishte kryetari i degës së dytë të LDK-së, Mustafë Krasniqi, ai i cili u tregua i matur në këtë vendim, pasi që siç theksoi Gecaj, për shkak të numrit të madh situata edhe do të kishte dalë nga kontrolli.

“Ka qenë Mustafë Krasniqi ai i cili vërtetë e ka menaxhuar jashtëzakonisht mirë një masë të tillë sepse kurrë nuk ka ndodhur që një nëndegë t’i ketë mbi 100 delegatë dhe tash kanë qenë 200”, tregoi Gecaj, i cili shtoi se, Krasniqi ka arritur që me maturinë e tij ta ndalë çfarëdo tensioni të mundshëm. /Lajmi.net/