Gecaj: Dëshira për pushtet e ka futur opozitën në mjegull
Bajram Gecaj këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka vazhduar akuzat ndaj opozitës një ditë pasi të njëjtën gjë e bëri shefi i tij, kryeministri Mustafa.
Lajme
Gecaj me anë të një postimi në facebook ka thënë se dëshira për pushtet partive opozitare ua ka mjegulluar parimet dhe konceptet e funksionimit të demokracisë.
Ai ka thënë se partitë opozitare aq shumë janë dhënë mas marrjes së pushtetit sa që për çdo gjë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, shkruan lajmi.net.
Postimi i plotë i Gecajt:
Dëshira dëshpëruese e subjekteve opozitare për pushtet u ka mjegulluar këtyre partive të gjitha konceptet dhe parimet e funksionimit normal në sistemet demokratike.
Duke shpresuar se do të përmbysin pushtetin me “armën” e pamoralshme të keqpërdorimit (dhe jo vetëm) flagrant të ndjenjave nacionale, këto subjekte, cila më shumë e cila më pak, u futën në baltën konspirative aq thellë saqë tani nuk po munden të dalin nga aty, edhe pse e shohin qartë, ata, por edhe opinionin publik, se po e dëmtojnë qytetarin dhe shtetin e Kosovës në mënyrë gati të pariparueshme.
Aq janë fascinuar dhe preokupuar me marrjen e pushtetit saqë për çdo komplikim të cilësdo natyre i kërkojnë Kryeministrit të “shkoj në shtëpi”, duke i sugjeruar gjithashtu se zgjidhja e çështjes së demarkacionit “duket është e pamundur që të bëhet, derisa ju të jeni kryeministër”. Kjo qasje më së miri zbulon qëllimet e vërteta të opozitës, se ata nuk janë fare të interesuar që kjo çështje të zgjidhet, sepse atëherë do të humbnin edhe atë pikë shprese (të pashpresë) të ardhjes së hershme në pushtet.
Kështu, skenari opozitar do të ishte: largojeni këtë qeveri; na sjellin neve në pushtet (me hatër apo me zor); dhe pastaj ne e ratifikojmë të njëjtën marrëveshje mbi demarkacionin, por tanimë me një opozitë konstruktive (LDK) e cila interesin nacional e ka vendos gjithherë mbi atë partiak; e që d.m.th. ne asnjëherë nuk do të bëhemi konstruktiv si ata, sepse interesi ynë i vetëm dhe “madhor” është marrja e pushtetit me çdo kusht e me çdo çmim [“për inat të resë, më vdektë djali”]! Viti zgjedhor 2018 do të tregoj se kush do të shkoi në shtëpi, prandaj ju sugjerojmë të punoni shumë në drejtim të ndryshimit të opinionit të gjerë – pra, keni edhe një vit e gjysmë të provoni se madje edhe ju mund të shihni interesin nacional para atij partiak! Shihemi pra e matemi në vitin 2018.