Gazsjellësi Joniano-Adriatik, projekti i Shqipërisë dhe 3 vendeve të rajonit që do i dërgohet BE-së

Gazsjellësi Joniano-Adriatik është një zgjatim i projektit Transadriatik drejt vendeve të rajonit. Ai nis në Fier dhe duke përshkuar vijën bregdetare drejt veriut, arrin në Malin e Zi e më pas përfundon në Split të Kroacisë.

Lajme

07/06/2015 17:30

Sipas studimit të fizibilitetit, gazsjellësi do të jetë rreth 511 kilometër i gjatë dhe do të kushtojë 617.6 milionë euro. Në pjesën shqiptare shuma e investimit është parashikuar të jetë rreth 170 milionë euro dhe do të realizohet përgjatë periudhës 2017-2020.

Një ditë më parë, ministrat e Energjisë së katër vendeve të rajonit, ai Shqipërisë, Bosnjes, Malit të Zi dhe Kroacisë, ranë dakord ta kualifikojnë projektin në listën e prioriteteve që do t’i propozohen Bashkimit Europian për financim.

Arsyeja lidhet me përfitimet që projekti ka për ekonomitë respektive. Për Malin e Zi dhe Bosnjen, gazsjellësi krijon akses në rrjetet e gazit, raporton Top Channel.

Për Shqipërinë, veç investimeve në masën 170 milionë euro dhe krijimit të 250 vendeve të reja të punës, ai mundëson shtrirjen e rrjetit të gazit në zonat më të populluara të vendit. Gazsjellësi Transadriatik ndalon në Fier duke vazhduar drejt Italisë, ndërsa linja Joniano-Adriatike bën të mundur që tubacioni të shtrihet edhe në qytetin e Durrësit, atë të Tiranës dhe Shkodrës.

Paralelisht, ndërtimi i këtij gazsjellësi rrit edhe më shumë pozitat gjeostrategjike të Shqipërisë në rajon, duke e shndërruar atë në nyje të rrjetit rajonal të gazit. Sipas studimit, gazsjellësi do të transportojë 5 miliardë metër kub gaz në vit, prej të cilave 1 miliardë metër kub do të konsumohen në Shqipëri, 0.5 miliardë në Mal të Zi dhe pjesa tjetër në Bosnje e Kroaci.

Linja është projektuar të funksionojë në dy drejtime, që do të thotë se mund të transportojë gaz si nga Shqipëria drejt Kroacisë, ashtu dhe anasjelltas.

Së bashku me autostradën Durrës-Nish, gazsjellësi Joniano-Adriatik është projekti më i rëndësishëm që vendet e rajonit do i propozojnë Bashkimit Europian. Të dy këto vepra vijnë pas nismës së Berlinit, e cila kanalizon fondet e BE-së për të mbështetur zhvillimin e ekonomive të Ballkanit.