Gazetat amerikane shkruajnë mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO

Kosova tha të premten se ka aplikuar për anëtarësim në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Arsim e Kulturë, një lëvizje kjo e kundërshtuar menjëherë nga ana e Serbisë.

Lajme

22/08/2015 09:45

Kështu, thuhet në njoftimet e shtypit të shkruar në Shtetet e Bashkuara.

Gazetat e përditshme që citojnë agjencinë Associated Press theksojnë se ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha në takimin e Këshillit të Sigurimit se Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e Organizatës Ekonomike, Shkencore dhe Kulturore të OKB-së, pra UNESCO-s para se të bëhet ‘shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe kjo ‘në qoftë se bordi ekzekutiv i UNESCO-s e rekomandon dhe nëse dy të tretat e anëtarëve e miratojnë.’

Më tej në këto raportime thuhet se ‘aleati i ngushtë i Serbisë, Rusia, deri tash e ka bllokuar Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së.’ Duke cituar fjali nga adresimi i zëvendëskryeministrit Thaçi, agjencia më tej thekson se ‘Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të Kombeve të Bashkuara, e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe se shumë vende, që nga Austria deri tek Vietnami janë bërë anëtare të UNESCO para se të pranoheshin në OKB.

Shtypi citon edhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq i cili ka folur për Kosovën si ‘një territor i administruar nga OKB dhe si i tillë anëtarësimi i saj në UNESCO do të shkelte rregullat e organizatës botërore.’ Daçiq ka folur për 236 kisha e manastire serbe të sulmuara nga qershori i vitit 1999 ndërsa ka marrë përgjigjen e Thaçit se ‘objektet e trashëgimisë fetare në Kosovë “janë më të sigurta sot se gjatë 1000 viteve të fundit”, duke nënvizuar se Policia e Kosovës mbron 95 për qind të objekteve të Kishës Ortodokse Serbe,” thuhet ndër të tjera në raportimet nga takimi në shtypin amerikan. (RTK).