Gazetarëve iranianë nuk u lejohet solidarizimi me kolegët francezë

Forcat e sigurisë në Teheran e kanë parandaluar një tubim të gazetarëve iranianë, të cilët janë përpjekur ta organizojnë një tubim, përmes të cilit do të solidarizoheshin me viktimat e sulmit në revistën satirike Charlie Hebdo në Paris.

Bota

08/01/2015 17:44

Tubimi i gazetarëve ishte paraparë të bëhej në afërsi të objektit që më parë ka qenë zyra e Shoqatës së Gazetarëve të Iranit, zyrë e cila është mbyllur në vitin 2009 nga ish-qeveria e presidentit Mahmud Ahmadinexhad, raporton REL.

Por, dëshmitarët kanë treguar se forcat e sigurisë i kanë penguar gazetarët që të mblidhen para ndërtesës.

Pas fitores në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, presidenti Hasan Rohani ishte zotuar se do të bëjë përpjekje për ta ringjallur Shoqatën e Gazetarëve të Iranit.

Por, gjyqësori konservator i Iranit, në tetor të vitit 2013, e ka urdhëruar mbylljen e shoqatës që numron 4 mijë anëtarë.