Gazetarët nëpër botë kërkojnë lirimin e kolegëve të tyre të burgosur në Egjipt

Një vit më parë, gazetarët e televizionit Al Jazeera, australiani Peter Greste dhe egjiptianët Mohamed Fahmy dhe Baher Mohamed, u arrestuan në Kajro me arsyetimin se raportimet e tyre mbi konfliktin civil në Egjipt, përmbanin shpifje dhe mbështesnin hapur Vëllazërinë Myslimane.

Bota

30/12/2014 11:10

Në muajin qershor tre gazetarët u dënuan me burg, Greste dhe Fahmy morën nga shtatë vjet, Mohmamed mori një dënim 10-vjeçar, ndërsa në mungesë për “shpifje” u dënuan me nga dhjetë vjet burg edhe tre gazetarë të tjerë të huaj.

Dhe në njëvjetroin e arresimit të tyre, në Londër, Hagë, Washington, Sydeny, Bruksel dhe shumë metropole të tjera botërore, qindra gazetarët kanë protestuar për të shprehur pakënaqësinë e tyre për këtë rast dhe rastet të tjera të arrestimit gazetarëve nga regjimet e ndryshme nëpër botë.  

Al Jazeera vazhdon të mbrojë punën e gazetarëve të saj, por autoritetet egjiptiane insistojnë se stafi i këtij televizioni kishte prodhuar “lajme të rreme”, dhe se ndjekja penale ishte e pashmangshme.

Pas gjykimit të tre gazetarëve, përveç mediave kishin reaguar edhe autoritet e Shteteve të Bashkuara dhe ato të Bashkimit Evropian, duke e quajtur rastin të motivuar dhe cenim të lirisë së të shprehurit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e kishte përshkruar gjykimin dhe dënimet me burg si “trishtues”, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” e quajti gjyqin një “mashtrim”.

Por që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, ndërkohë që organizatat e gazetarëve nëpër botë vazhdojnë të kërkojnë lirimin e tyre dhe të të gjithë gazetarëve të dënuar me procese të montuara.

Në njëvjetorin e arrestimit të gazetarëve të televizionit Al Jazeera, gazetarët me pankarta në duar ose gojë të mbyllura me shirit, u mblodhën nëpër qendra të ndryshme të botës, përpara ambasadave të Egjiptit, duke kërkuar ndikimin e vendeve të tyre ndaj autoriteteve egjiptiane për të liruar kolegët e tyre të pafajshëm.  

Në një letër drejtuar mbështetësve të tyre javën e kaluar, të nënshkruar nga australiani Greste, tre gazetarët e dënuar shkruanin se ndjehen krenar me punën e tyre, me atë që kishin arritur kolegët e tyre deri tani, në nxitje të debatit politik në lidhje me persekutimin e gazetarëve dhe të drejtën për një shtyp të lirë në Egjipt. /lajmi.net/