Gazetarët kosovarë përballen me shumë sfida (Video)

Gazetarët në Kosovë punojnë nën presion, shpesh të kërcënuar, shumë prej tyre pa kontrata dhe me rroga të ulëta.

Lajme

30/04/2015 14:03

Kështu u tha në tryezën e organizuar të enjten nga UNDP, me temën “Liria e Gazetarëve dhe Pozita e Tyre”, një ditë pasi Organizata “Freedom House” publikoi raportin e përvitshëm për lirinë e shtypit në botë, i cili mbulon 199 vende dhe territore.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, tha se asociacioni që drejton ka raportuar vazhdmisht se gazetarët përballen me kushte të rënda të punës, jo vetëm jashtë, por edhe brenda zyrave të punës.

“Sulmet, kërcënimet, shantazhet dhe censurat ndaj gazetarëve këtë vit kanë shënuar rritje. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve të ngrehin zërin në vazhdimësi jo vetëm në raport me institucionet, por edhe në punë, në raport me shefat e tyre”, tha Shabani, duke shtuar se “edhe censura, edhe vetcensura janë pengesë e lirsë së mediave”.

Edhe kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Serbë të Kosovës, Budimir Niçiq, tha se gazetarët para së gjithash duhet të tregojnë më shumë solidaritet me njëri-tjetrin. Ai tha se edhe pse tema është liria e mediave, pozita e gazetarëve fletë vetë se në çfarë gjendje janë ata.

“Zakonisht thuhet se njerëzit janë të lirë dhe të hapur aq sa janë mediat. Çdo liri duhet ta fitojmë me punë dhe me mund të madh. Në punën tonë si gazetarë, qëllim dhe synim duhet ta kemi profesionalizmin, guximin dhe durimin”, tha Niçiq.

Ndërkaq kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila muajin e kaluar mori çmimin “Gruaja e guximshme e vitit” nga Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte e ftuar në këtë tryezë për të folur mbi përvojën e saj dhe përballjen me kërcënimet.

“Kemi folur për kapje të shtetit, por ne kemi edhe kapje të mediave. Ka presion, censurë dhe vetcensurë në media. Ndërsa flitet nëpër kafene se me çfarë ballafaqohemi, nuk e ngrehim zërin bashkë, asnjëherë”, tha Xharra.

Ajo po ashtu përmendi edhe si trend ikjen e gazetarëve nga mediat private në ato publike, për shkak të siç theksoi, stabilitetit financiar.

Ndërsa sa i përket kërcënimeve që i janë bërë gjatë përvojës së saj si gazetare, Xhara tha se disa rastet i ka paraqitur në polici, janë marrë deklarata, porse asnjëherë nuk ka marrë ndodnjë përgjigje nga gjykakat se si kanë përfundur këto lëndë.

Sipas Organizatës “Freedom House”, Kosova ka shënuar përkeqësim në lirinë e mediave, krahasuar me një vit më parë. Sivjet ajo zë vendin e 100-të, krahasuar me pozitën numër 98 që ka mbajtur vitin e kaluar.

Edhe sipas të dhënave të fundit të raportit Pulsi Publik, ka një rënie prej 10% të besueshmërisë së qytetarëve se në Kosovë mediat e gëzojnë lirinë e shprehjes.

Me rastin e 3 Majit – Ditën botërore të lirisë së shtypit, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Federica Mogherini, përmes një letre, ka thënë se Bashkimi Europian është i vendosur të vazhdojë të shfrytëzojë të gjithë instrumentët e jashtëm të duhur financiarë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e mendimit dhe shprehjes dhe për të mbështetur lirinë e mediave dhe pluralizimin.

YouTube player