Gaza, nis shkëmbimi me raketa

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për të zgjatur nga tre në pesë ditë armëpushimin e përkohshëm, duke u dhënë mundësi negociatave në Egjipt për një marrëveshje substanciale për dhënien fund të luftës në Gaza.

Bota

14/08/2014 13:30

Por pak pas njoftimit të zgjatjes së armëpushimit, ushtria izraelite njoftoi të enjten se kishte kryer goditje ajrore në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje ndaj sulmeve palestineze me raketa.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte vënë në shënjestër objektiva terroriste të Hamasit në Gazë, dhe se të paktën tre raketa ishin lëshuar nga Gaza para skadimit të armëpushimit të arritur paraprakisht prej tre ditësh.

Nuk ka pasur njoftime për viktima, ndërkohë që Izraeli nuk ka pranuar të komentojë lidhur me zgjatjen e armëpushimit.

Negociatori palestinez në Egjipt ka thënë se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare gjatë javëve që pasojnë dhe që gëzon mbështetje të plotë arabe, rajonale dhe ndërkombëtare, raporton VOA.

Që prej muajit korrik, kur u vranë tre të rinj izraelitë nga militantët e Hamasit, të cilët e kontrollojnë Gazën, ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet kundër këtij grupi radikal, duke lënë të vrarë gati 2000 palestinezë, shumica civilë.

Ushtria izraelite ka humbur mbi 60 pjesëtarë të saj, ndërkohë që vazhdon të akuzojë Hamasin përgjegjës për vrasjen e civilëve, që sipas Tel Avivit zyrtar, ky grup radikal i përdorë qytetarët si mburoja.