Gaza: Hamasi thotë se armëpushimi afat-gjatë është në pajtim me Izraelin
Egjipti ka ndërmjetësuar për një marrëveshje afat-gjatë të armëpushimit midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza, thonë zyrtarë të lartë palestinezë.

Bota
Negociatori i Hamasit Moussa Abu Marzouk tha se marrëveshja për t’u dhënë fund shtatë javëve të luftës që morrën jetën e më shumë se 2,200 personave, do të shpallet së shpejti.
Palestinezët thanë se Izraeli është pajtuar ta lehtësojë bllokadën e tyre në Gaza, për t’i lejuar qasje në furnizimet me ndihma dhe materiale të ndërtimit.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga qeveria izraelite.
Avionët izraelitë bombarduan dy ndërtesa të mëdha në qytetin e Gazës në mëngjesin e së martës. Kulla “Basha”, që përmbante banesa e zyra, ishte rrafshuar. Gjithashtu edhe një Kompleks Italian, me shtëpi, dyqane dhe zyra, ka mbetur i dëmtuar rëndë.
Nuk pati raportime për të vrarë, pasi që banorët arritën të iknin nga të dyja këto ndërtesa, ngase ushtria izraelite i kishte paralajmëruar ata që të largohen.
Sidoqëtëjetë, 20 vetë ishin lënduar në goditjen e Kompleksit Italian, dhe së paku dy të tjerë ishin vrarë në sulmet Izraelite në vende të tjera, thanë mjekët.
Hamasi, lëvizja militante islamike që dominon Gazën, akuzoi për një “akt të paparë të hakmarrjes” kundër civilëve.
Por, zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkolonel Peter Lerner tha për ‘Associated Press’ se goditjet ishin “një rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të Hamasit”.