Gaxherri: LDK pa situatën e rëndë dhe e hapi rrugën

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, thotë se partia e saj, duke e parë situatën e rëndë në vend, e pa të udhës ta bënte kompromisin që u garanton PDK-së, pozitën e kryeparlamentarit nëse presidentja ua garanton atyre formimin e qeverisë.

Lajme

07/11/2014 18:15

Gaxherri në emisionin “InfoMagazine” në KlanKosova, tha se veprimi zhbllokues i kësaj partie është i kahmotshëm.

“Natyrisht se LDK, duke pasur parasysh situatën e rënduar në shtetin e Kosovës, ka ardhur deri në momentin që të bëjë kompromisin që të bëjë zhbllokimin”.

“Ka ndodhur diçka që ka ndodhur gjithmonë. Edhe kësaj radhe LDK e ka hapur rrugën, ja ka dërguar njoftimin presidentes dhe tashmë asgjë s’ka mëdyshje. Duhet të thirret seanca, duhet të zgjedhjet kryeparlamentari dhe kryesia e Parlamentit”.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, thotë se situata e tanishme i provokon të gjitha palët për një marrëveshje të re. Sipas tij, Blloku duhet të ridizajonhet prej fillimit pas kompromisit.

“Është situatë e re ku i provokon të gjitha palët në një marrëveshje. Sigurisht, që ndodh sa do të ridizajnohen prej fillimit”.

“Besoj se barra nuk ka qenë të Blloku deri sa ka dalë vendimi. Nuk duhet të thuhet se Blloku ka hequr dorë nga pozita e kryeparlamentarit, atij nuk i ka takuar ajo pozitë”.

“Nuk ka kuptim që të vonojmë, jo nesër por qysh sot në një seancë konstituive dhe të bëhet konstituimi i Kuvendit”, tha Zogaj.