Gati për Veriun

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje KQZ'së për çfarëdo kërkese që do t'i bëhet Qeverisë. Thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për rivotim në Mitrovicën e Veriut. Ka bindjen se procesi i rivotimit do të kalojë sipas standardeve europiane.

Lajme

13/11/2013 10:35

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se janë duke u bërë përgatitje maksimale për rivotimin në tri vendvotimet në Veriun e Mitrovicës më 17 nëntor.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ai është zotuar se do t`i japë mbështetje të parezervë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në çdo kërkesë që i drejtohet Qeverisë së vendit.

Kryeministri, po ashtu, ka shprehur bindjen se ky procesi i rivotimit do të kalojë sipas standardeve europiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t`i japë mbështetje të vazhdueshme KQZ`së  në çdo kërkesë të saj që i drejtohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Procesi elektoral i fazës së parë është duke hyrë në fazën përfundimtare. Më datën 17 në tri qendra votimi që do të ketë rivotim, janë duke u bërë përgatitje maksimale”.

“Kam besim të plotë që i tërë ky proces do të kalojë sipas standardeve ndërkombëtare, sipas standardeve më të larta europiane”.

Kryeministri Thaçi deklaroi se ka një përkushtim të madh të të gjithë faktorëve që më në fund edhe pjesa veriore e Kosovës t`i ketë liderët e saj legalë.

“Është një përkushtim i spektrit politik, i gjithë faktorëve ndërkombëtarë, i monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, është edhe një angazhim i shoqërisë civile, por është edhe një zotim i qytetarëve  për një pjesëmarrje edhe më masive, në mënyrë që definitivisht t’i kemi liderët legjitimë edhe në Veri, ku deri më tani nuk kemi organizuar zgjedhje të lira, për shkak të rrethanave çfarë kanë qenë”.