Gati Ndryshimet Kushtetuese për FAK

Hashim Thaçi ka bërë me dije se Neni 126 i Kushtetutës që ka të bëjë me mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës është gati për votim në Kuvend. Por, edhe pse janë pro krijimit të FAK, ministrat Yagcilar e Rasic dëshirojnë të merren parasysh edhe kërkesat e pakicave.

Lajme

06/03/2014 16:14

Është aprovuar dhe ndryshuar amendamenti që ka të bëjë me çështjen e sigurisë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndryshimet e ligjit për mbrojtje dhe siguri dhe shndërrimin e FSK’së në FAK i ka shpalosur Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në mbledhjen e Qeverisë duke thënë që këto amendamente janë bërë me qëllim të reflektimit të misionit të ri mbrojtës të mekanizmave në Republikën e Kosovës që më pas do të pasohet me një kornizë ligjore të kompletuar me misionin e ri që do të kenë Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Me këto propozime të amendamenteve, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës po bëhet edhe më i qartë vizioni i Republikës së Kosovës që të bëhet një forcë e stabilitetit dhe sigurisë për popullatën e saj, për rajonin dhe më gjerë”.

“Të gjithë këta hapa që po ndërmerr Qeveria, janë në pajtim me aspiratat e Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti të NATO’s, Bashkimit Europian, OSBE’së dhe OKB’së”.

Neni 126 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të plotësohet dhe do të ndryshohet duke mbrojtur sovranitetin territorial, duke mundur të dërgojë pjesëtar të saj jashtë vendit. Ndërsa, Presidenti i Kosovës është edhe Komandant Suprem i FAK’ut, është thënë në mbledhje sot.

Por, ministrat Mahir Yagcilar dhe Nenad Rasic, duke u pajtuar me krijimin e FAK’ut, kanë kërkuar që njëkohësisht me këto amendamente duhet të merren parasysh edhe kërkesat të cilat i kanë parashtruar komunitetet në Kuvend.

“Ne plotësisht e përkrahim krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës por është çështje kushtetuese kur duhet të hapen edhe çështje tjera, kështu që si anëtar i Qeverisë edhe anëtar nga komunitetet, kemi pasur edhe kërkesa tjera dhe kjo çështje mundet prapë të vije në debat-diskutim”, tha Ministri Mahir Yagcilar.

“Plotësimet që kemi propozuar ne kanë qenë në favor të demokracisë dhe jam i bindur që një aspekt ku përfitojnë të gjithë komunitetet dëshiroj të cekë edhe njëherë që plotësim-ndryshime që kemi propozuar ne së bashku me përfaqësues të komuniteteve tjera në Parlamentin e Kosovës të shkojnë në favor të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Ministri Nenad Rasic.