Gashi: Në Berlin do të diskutohet për ne, Gjermania kundër ndarjes

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur për Samitin për Ballkanin, që është paraparë të mbahet më 29 prill në Berlin.

Lajme

18/04/2019 21:27

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian janë ftuar për një takim të përbashkët në kryeqytetin gjerman nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Gashi ka thënë se pret që zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi do të jetë temë kryesore e këtij samiti, që do të mbahet në fund të muajit.

Sipas Gashit, në Berlin, udhëheqësja e Gjermanisë do të përsërisë qëndrimin e saj kundër ndarjes së Kosovës, për t’i dhënë goditjen përfundimtare planit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të ashtuquajturin “korrigjim” të kufijve mes Kosovës e Serbisë.