Gashi kundër Gashit

Akuzat për mashtrim ndaj Rektorit të UP’së, Ibrahim Gashit, të bëra nga Profesori i Matematikës, Qëndrim Gashi, sot kanë marrë përgjigje. Rektori Gashi dha argumentet e veta për rrugëtimin e tij shkencor të cilin e quajti tepër normal dhe tepër të qëndrueshëm.

Lajme

24/10/2013 12:40

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, është mbrojtur nga akuzat e Profesorit të Matematikës, Qëndrim Gashi, i cili ka ngritur dyshime për mënyrën e avancimit të tij akademik.

Në një konferencë shtypi, Rektori Gashi ka thënë se ngritja e tij profesionale ka pasur një rrjedhë normale, në respekt të plotë të ligjit.

“Ngritja ime profesionale ka një trajektore tepër normale dhe tepër të qëndrueshme”.

“Edhe avancimi im në thirrjen e fundit ka respektuar në përpikëri ligjin, duke përfshirë edhe aspektin kohor”.

“Unë nuk e kam shfrytëzuar të qenit Rektor për t’u rizgjedhur menjëherë sapo i kam mbushur katër vjet nga rizgjedhja e fundit, kur është dashur të rizgjidhem. E kam lënë edhe një vit, për t’iu bashkuar konkursit që ka dalë në muajin maj, dhe ai konkurs është shqyrtuar në këtë kohë”.

“Me kohë jam i vonuar për një vit në rizgjedhje, ndërsa në rezultatet shkencore nuk jam vonuar. Të gjitha instancat nëpër të cilat ka kaluar rizgjedhja ime kanë dhënë mendim pozitiv dhe nuk kanë pasur asnjë dilemë”.

Për avancimin e Profesorit në titullin “Profesor Ordinar”, sipas Statutit të UP’së, kërkohen të paktën tri punime shkencore, të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare të fushës përkatëse.

Qëndrim Gashi, në një shkrim autorial të tij, ka qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj mënyrës sesi është avancuar Rektori Gashi në këtë pozitë, duke e quajtur procesin e kundërligjshëm.

Sipas tij, punimet e Rektorit Gashi nuk janë shkencore, por publicistike – gazetareske. Për më tepër, ato as nuk janë publikuar në revista të njohura akademike të lëmisë që kërkohen, por janë botuar në një revistë për inxhinieri dhe menaxhim.

“Se përmasat e kësaj të keqeje janë alarmante, dëshmon edhe fakti se Rektori paska tentuar të na mashtrojë me punimet e tij fals në një revistë fals”, ka shkruar Gashi, në shkrimin e tij të botuar në Kohën Ditore.

Por, të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë si të pavërteta nga Rektori Ibrahim Gashi, i cili ka thënë se personalisht është “OK” me ngritjen e tij akademike.

“Statuti thotë se për thirrjen e Profesorit Ordinar duhet të kesh monografi shkencore nga fusha që ligjëron. Unë i kam tri monografi shkencore, dy prej të cilave janë në intervalin 2008/2013”.

“Statuti thotë se kandidati duhet të ketë tekste universitare. Unë i kam tri tekste universitare nga fusha që ligjëroj, të cilat përdoren jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por në të gjitha universitet shqiptare, siç është libri për Historinë Botërore dhe Bashkëkohore”.

“Kam prezantime dhe projekte në nëntë Universitete dhe qendra studimore ndërkombëtare, gjatë këtij interval kohor”.

“Doktorata ime është përgatitur në një program bashkëpunimi në mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Gracit, me mentor ndërkombëtar”.

“Unë ndjeva obligim, ndoshta është jomodeste, që ta them se në këtë moment përfundon çdo gjë në lidhje me këtë“.

“Opinioni e di shumë mirë që unë jam OK me këtë pjesë”.