Bëhet thirrje për kujdes dhe shmangie të temperaturave të larta
Vetëdijesimi i qytetarëve për të mos u ekspozuar në temperatura të larta ka bërë që të mos ketë shtim të rasteve që kërkojnë shërbime mjekësore si pasojë e të nxehtit, thotë drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi. Në një intervistë për KosovaPress, Gashi thotë se, edhe pse pritej një fluks i madh…

Lajme
Vetëdijesimi i qytetarëve për të mos u ekspozuar në temperatura të larta ka bërë që të mos ketë shtim të rasteve që kërkojnë shërbime mjekësore si pasojë e të nxehtit, thotë drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi.
Në një intervistë për KosovaPress, Gashi thotë se, edhe pse pritej një fluks i madh pacientësh, kjo nuk ka ndodhur dhe “kryesisht falë vetëdijesimit të qytetarëve për të shmangur ekspozimin në orët më të nxehta të ditës”.
Ai bën të ditur se në periudhën prej mesit të qershorit dhe deri në mesin e këtij muaji, ka pasur vetëm tri raste që kanë kërkuar ndihmë si pasojë e rrëzimit nga temperaturat e larta.
“Ka pasur raste të izoluara, do të thotë gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur eventualisht 2-3 raste të cilët për shkak të temperaturave ka mundur të kollabojë do të thotë të rrëzohet por jo raste eklatante apo serioze të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarit. Duke marrë parasysh se edhe rastet më urgjente që janë e që mund të ketë pasur ndikim temperaturat e larta në gjendjen e tyre shëndetësore sidomos te pacientët që janë me sëmundje kronike, ata që janë më të moshuar dhe që kanë probleme aktive të diabetit, hipertensionit, problemeve renale dinë ndonjëherë me u fokusu në thirrjen e urgjencës 194, do të thotë që nuk kalojnë nga kujdesi parësor te pjesa e mjekësisë familjare. Por rastet që janë më të buta sidomos lajmërohen këtu por jo ndonjë rast ekstrem që vlen të përmendet”, thotë ai.
Megjithatë, ai thekson se më të rrezikuarit mbesin të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, mirëpo shton deri më tani nuk ka pasur raste që kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Duke e marrë parasysh se temperaturat e larta këtë muaj, do të thotë muajin që po e lëmë dhe fundi i qershorit kanë qenë temperatura të cilat kanë qenë mbi ato që kanë qenë viteve tjera, do të thotë që llogariten si temperatura më të larta, mos të them ekstrem të larta, ne kemi pritur që do të kemi fluks dhe do të kemi raste më shumë se sa që kemi tani mirëpo mendoj që qytetarët, të cilën i falënderoj, janë të vetëdijesuar për këtë situatë. Kanë ndikuar në këtë çështje po besoj edhe promovimi edhe edukimi shëndetësor, edhe mediat e kanë dhënë kontributin e vet por edhe punëtorët shëndetësorë me intervistat e tyre, komunikimet në studio, shkresat apo fletat, kemi pasur ekipe në shesh që kemi dhënë këshilla për qytetarët, normalisht edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik por edhe institucionet e tjera dhe mendoj që është arritur një lloj vetëdijesimi i qytetarëve për t’i ikur ekspozimit në pikun e temperaturave të larta. Pse po e them, për shkak të statistikave ose për shkak të vëzhgimit të situatës që e kam bërë personalisht në ditët më të nxehta. Është shumë interesante se prej orës 11:00 deri në orën 17:00, kemi pasur përgjysmë më pak pacientë sesa në kohët normale që i kemi pasur kur ka pasur temperatura më të ulëta. Do të thotë kjo e vërteton atë që pacientët, qytetarët i kanë ikur ekspozimit edhe për vizita mjekësore në atë pikë. Do të thotë që nuk kanë ardhur të i vizitojnë institucionet. E është rritur numri i tyre në pjesë tjera të ditës, nga ora 07:00 deri në 11:00 dhe pas orës 17:00.”- deklaron ai për KosovaPress.
Sipas tij, vizitat mjekësore janë spostuar në orët e hershme të mëngjesit dhe pasdite, duke mbajtur nivelin e përgjithshëm të vizitave ditor në shifrat standarde – rreth 3 mijë brenda 24 orëve, me mbi 9.500 shërbime të ofruara.
“Normalisht, statistikisht, numri i pacientëve nëse e krahasojmë muajin maj me pjesën e dytë të qershorit dhe pjesën e pare të korrikut është i njëjtë, nuk ka ndonjë dallim të madh në statistikë apo në numër sepse janë të njëjtit pacientë të përafërt, rreth 3 mijë vizita që realizohen brenda 24 orëve, që janë standard, nuk lëvizin, lëvizin me 100 ose 200 më pak ose më shumë dhe i kemi 9.500 shërbime brenda 24 orëve, që faktikisht është e njëjta vetëm që ka pasur spostim në kohën e itinerareve gjatë ditës që mendoj që kjo është e mirë dhe i përgëzoj qytetarët dhe prapë i këshilloj që t’i ikin, kurdo që do të kemi, edhe këto ditë por edhe në vazhdim, që pritet të ketë, t’i ikin ekspozimit në këtë kohë të pikut të ditës, të shfrytëzojnë kohë tjera sepse institucionet tona punojnë nga ora 07:00 deri në orën 20:00 kështu që munden me marrë shërbim kurdo që ata e shohin që është më e arsyeshme”, thotë ai.
Gashi apelon te qytetarët që të vazhdojnë të shmangin ekspozimin në temperaturat ekstreme dhe të shfrytëzojnë oraret fleksibile të QKMF-së, e cila punon nga ora 07:00 deri në 20:00.
Gjatë kësaj vere, edhe Kosova po përballet me temperatura të larta, ku maksimalet në fund të javës së ardhshme pritet të arrijnë në 39 gradë Celcius./kp