Gashi fton mësimdhënësit e Obiliqit që të rifillojnë mësimin nesër

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit që të rifillojnë mësimin nesër.

Lajme

20/01/2019 23:09

Pas vendimit nga Qeveria e Kosovës për rritjen e pagave për mësimdhënësit, kryetari i Komunë së Obiliqit, Xhafer Gashi, iu ka bërë thirrje mësimdhënësve që të rifillojnë mësimin nesër, shkruan lajmi.net.

Pavarësisht se SBASHK-u ka kërkuar që greva të vazhdojë në tërë Kosovën edhe pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, Gashi, ka thënë se vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave është reflektim pozitiv i kërkesave të mësimdhënësve.

“U ftoj të gjithëve ju mësimdhënës të komunës time, që nga nesër të filloni procesin mësimor me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes”, ka shkruar Gashi, përcjell lajmi.net.

Njoftimi i plotë i Gashit pa ndërhyrje:

Të nderuar mësimdhënës,

Duke përshëndetur reflektimin kaq pozitiv të Qeverisë Haradinaj, karshi kërkesave tuaja, e duke u premtuar përkrahjen time gjithnjë ndaj jush,

U ftoi të gjithëve ju mësimdhënës të komunës time, që nga nesër të filloni procesin mësimor me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes.

Ju ditët gjithherë të kontriboni në këtë fushë e po ashtu ju jeni shtylla e ndërtimit të shtetit tonë, prandaj unë kam shpresë në ju që duke respektuar ofertën e kryeministrit Haradinaj, nesër të filloni procesin mësimor në të gjitha institucionet shkollore.

I juaji, Xhafer Gashi. /Lajmi.net/