Gallucci porosit serbët: Votoni!

Gerrard Gallucci, i cili ka qenë Administrator Rajonal i OKB’së për Mitrovicën në vitet 2005-2008, thotë se Qeverisë në Beograd më shumë i intereson anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe ajo nuk është e gatshme që ta lëshojë rastin.

Lajme

24/09/2013 15:49

Dilni në zgjedhje!

Kjo është porosia që liderët radikalë të serbëve të veriut marrin nga “këshilltari” më i mirë i deritanishëm i tyre.

Gerrard Gallucci, i cili ka qenë Administrator Rajonal i OKB’së për Mitrovicën në vitet 2005- 2008, thotë se Qeverisë në Beograd i intereson më shumë anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe se ajo nuk është e gatshme që ta lëshojë rastin që i është dhënë.

Në një blog të publikuar në web- faqen e tij, Gallucci thotë se serbët e veriut janë duke u përballur me një zgjidhje “ekzistenciale” – të dalin apo jo në votimet e organizuara nga Prishtina, për herë të parë që nga fundi i luftës në Kosovë.

“Ka indikacione se bërthama e lidershipit të serbëve të veriut po bën fushatë kundër daljes në zgjedhje. Shpresoj që dhuna nuk është pjesë e kësaj strategjie. Ata duhet ta bëjnë këtë të qartë duke dënuar publikisht vrasjen e policit dhe hedhjen e granatave në disa raste të fundit, apo në rastet e kërcënimeve. Ata duhet të mendojnë dy herë para se ta çojnë ndër mend bojkotin”.

“Disa nga ta mund të preferojnë të jenë ‘mbretër’ në një ‘tokë të askujt’. Kjo do të shkonte vetëm në të mirën e tyre,  por do të ishte kundërproduktive dhe e padrejtë për shumicën dërmuese të serbëve në veri dhe në jug”.

“Zgjedhja e liderëve të tyre të besueshëm në institucionet lokale dhe qendrore dhe marrja e përfitimeve duke qenë me të dy botërat, do të kishte më shumë kuptim sesa ndonjë rezistencë ‘heroike’ ndaj realitetit. Dikush mund të thotë se serbët gjithmonë preferojnë heroizmin sesa veprimin e arsyeshëm në interes të vetin. Por, edhe serbët i duan fëmijët e tyre. Nëse për askënd tjetër, dalja në zgjedhje do të ishte e mirë për ta”.