Futbollisti i parë afrikan që luajti në Kosovë emëron djalin sipas Rugovës

Futbollisti i parë afrikan që luajti në futbollin e Kosovës, Tielen Oguta ka bërë të ditur se emëroi djalin e tij, sipas ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. 

Sport

08/11/2014 12:11

A e mbani mend Tielen Ogutën? Mbrojtësi i dikurshëm nga Kenia, ishte lojtari i parë me ngjyrë që luajti në Kosovë. Erdhi te Drita, e më pas shijoi trofe edhe tek Besiana. Se sa shumë e kishte dashur vendin tonë, ai djalin e pagëzoi me mbiemrin e Ibrahim Rugovës

Tielen Oguta është futbollisti i parë me ngjyrë që ka luajtur në Kosovë. Mbrojtësin e majtë nga Kenia, e solli në Gjilan klubi i Dritës, në vitin 2000.

Me këtë skuadër, ai fitoi Kupën e Kosovës, kurse pas një viti shkoi te Besiana, me të cilën shijoi krahas Kupës edhe titullin e kampionit (2001/2002). Pas tri vitesh ai u rikthye në vendlindjen e tij, duke lënë gjurmë të mëdha në futbollin kosovar.

12 vjet më vonë, tani si trajner në Keni, ai rrëfeu ekskluzivisht për gazetën Arena kohën kur luante në Kosovë. Oguta në vitet e 90-ta ishte lojtar i Kombëtares së Kenisë.

Kanë kaluar shumë vite që prej se u larguat nga futbolli i Kosovës. Ku është sot Tielen Oguta?

Jam në Nairobi të Kenisë. Jam trajner në një klub të Premier Ligës së Kenisë.

Në cilin klub?

Kenya Renue Authority. Jam ndihmës trajner.

Keni luajtur për tri vite (2000-2002) në Kosovë. Çfarë mbani mend nga ajo kohë?

Atje kishte njerëz shumë të mirë dhe unë isha lojtari i parë me ngjyrë që luajta në ligën e Kosovës. Për këtë jam krenar. Më pëlqente gjithçka në Kosovë. Madje, djalin tim e kam pagëzuar si mbiemri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Emri i djalit është Ruva.

Pse ia latë këtë emër?

E doja shumë Rugovën. Na kishte pritur edhe si klub. Meqenëse ka domethënie të keqe në Keni mbiemri Rugova, ia lashë shkurt, Ruva. Dua ta kujtojë vendin tuaj, pasi edhe isha i pari nga Afrika që luajta. I doja edhe njerëzit që kishin qenë në UÇK. Kush është tash president, a është Thaçi?

Jo, Thaçi është kryeministër. President është një grua, Atifete Jahjaga. A keni ende kontakte me ndonjë nga ish-bashkëlojtarët tuaj në Besianë apo Dritë?

Po, shumicën e tyre i kam edhe shokë në ‘Facebook’. Po ashtu, bisedojë me trajnerin Bylbyl Sokoli, kemi mbetur shokë.

A e dini se ish-klubi juaj, Besiana, tashmë nuk ekziston?

Po, dhe nuk befasohem për këtë, sepse klubi mbahej nga vetëm një njeri, Artani (Xhihiqi).

Pse nuk befasoheni?

Sepse, ai bëri shumë për atë klub, dhe e dija se nuk do të mundet ta mbajë edhe shumë gjatë.

Keni qenë njëri prej lojtarëve më të mirë në Kosovë? Pse u larguat nga Kosova?

S’ka pare, s’ka punë (e thotë përgjigjen në shqip). Njëkohësisht doja të rikthehesha sërish në shtëpi.

Duket se nuk e keni harruar gjuhën shqipe. A mbani mend edhe fjalë tjera?

Ku je ti. Vëllai jem. Di edhe të tjera, por nuk po më kujtohen tash.

Meqenëse tani jeni trajner. A keni menduar të riktheheni sërish në Kosovë, dhe të drejtoni ndonjë skuadër?

Nëse do Zoti, unë jam gjithmonë i gatshëm për Kosovën, bile edhe për Përfaqësuesen e Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës po luan miqësore. Ka humbur nga afrikanët e Senegalit.

Nuk e paskësha ditur, i uroj sukses. Kosova është shtëpia ime e dytë.

Cilat janë momentet tuaja më të mira, dhe më të këqijat në Kosovë?

Momentet më të mira ishin kur fituam titullin dhe Kupën me Besianën, kurse momenti më i keq kur unë mbeta në Besianë, e Bylbyli më kërkonte të shkojë me të, por unë e refuzova.

Po, nga Drita çfarë kujtoni?

Drita ishte ekip i mrekullueshëm. Të gjithë njerëzit në Gjilan e donin atë klub.

Selami Osmani (Bezi) ka ndërruar jetë. Keni dëgjuar për këtë?

Po, Bezi ishte njeri i mrekullueshëm. U preftë në paqe. Kur ishte ai, ne fituam Kupën e Kosovës.

Dëshironi të shtoni diçka për fund?

Shpresoj se një ditë Federata e Futbollit e Kosovës do të më kujtojë për kontributin që e kam dhënë në Kosovë, kurse unë një ditë do të vijë të ju vizitojë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe njerëzit e saj.