Futbollisti i Kombëtares, tri vjet pa rrogë
Odise Roshi dhe Bekim Balaj duke folur për gazetaren Ilda Bejleri në dokumentarin "Shigjeta dhe Bekimi Kuq e Zi" tregojnë fillimet e karrierës së tyre.

Sport
Rrogat e futbollistëve në vendin tonë janë qesharake duke e krahasuar me vendet e tjera. Odise Roshi dhe Bekim Balaj duke folur për gazetaren Ilda Bejleri në dokumentarin “Shigjeta dhe Bekimi Kuq e Zi” tregojnë fillimet e karrierës së tyre.
Sulmuesi shkodran ka treguar se hapat e para të karrierës së tij i ka nisur si portier, ndërkohë që kontratën e parë e ka nënshkruar me Vllazninë, raporton Albeu.
“Nënshkrova me skuadrën e Vllaznisë, që është një ekip që e kam mbështetur në stadium që kur kam qenë i vogël. Shifra në fakt ishte qesharake, pasi përfitoja 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Unë nisa 4-5 ditë para se të jepej rroga më 28 të muajit, por më erdhi një zarf, ku do të merrja një rrogë për 5 ditët e para. Ishte 50 mijë lekë të vjetra, të cilat i harxhova të gjitha në një supermarket dhe i dërgova në shtëpi”.
Ndërkohë Odise Roshi e ka nisur karrierën në skuadrën e Apolonisë kur ishte vetëm 16 vjeç. Mesfushori fierak ka treguar se në 3 vitet e para që ka qenë në këtë skuadër nuk ka përfituar asnjë qindarkë, pasi nuk ka nënshkruar asnjë kontratë. Rroga e parë?
“Ishte një shifër qesharake, të cilën gjysmën e harxhova me shokët dhe gjysmën ja dhashë familjes”, tregon Roshi.