Futbolli po rikthehet…këtu i gjeni datat për ligat kryesore të Evropës

Sytë e tifozëve të futbollit këtë fundjavë do të jenë kah Gjermania, me Bundesligën që do të bëhet liga e parë e madhe që do t’u rikthehet garave pas shfaqjes së koronavirusit.

Sport

14/05/2020 10:02

Pas një pauze gati dy mujore, gjermanët kanë vendosur të rikthehen me dy nivelet më të larta të futbollit.

Gjermanët synojnë që sezonin të përfundojnë më 30 qershor.

Edhe ligat tjera të Evropës janë duke punuar që të rikthehen, me përjashtim Francën, Holandën dhe Belgjikën që tashmë i kanë dhënë fund sezonit, shkruan lajmi.net.

Në Kosovë, situata mbetet ende e paqartë nëse sezoni do të vazhdohet. Stërvitjet për klubet janë të ndaluara deri më 1 qershor, datë kjo që e bën të vështirë përfundimin e sezonit me kohë.

Por si qëndron situata në ligat kryesore të Evropës?

Angli:

Klubet e Premierligës po diskutojnë planet për vazhdimin e sezonit. Stërvitjet do të vazhdojnë këtë muaj, ndërsa rifillimi i kampionatit kërkohet të bëhet nga muaji qershor.

Spanjë:

Në Spanjë shpresojnë që sezoni të mund të fillojë më 12 qershor. Të gjitha klubet në dy ligat e para kanë testuar lojtarët dhe janë rikthyer në stërvitje individuale.

Itali:

Është arritur marrëveshje për protokollin shëndetësor. Klubet nga 18 maji mund të stërviten në grupe, ndërsa sezoni mund të vazhdojë nga 13 qershori.

Francë:

Qeveria ka ndaluar sportet deri në shtator. Sezoni është anuluar dhe PSG është shpallur kampion.

Shqipëri:

Gjatë ditës së mërkurë është vendosur që sezoni të vazhdojë nga 3 qershori.

Austri:

Austria ka qenë një nga vendet e para që ka lejuar stërvitjet, dhe tani është bërë e ditur se nga fillimi i qershorit do të vazhdojë sezoni i pezulluar.

Danimarkë:

Superliga e Danimarkës do të rifillojë më 28 maj pas një pauze gati dy muajshe.

Kroaci:

Në Kroaci sezoni vazhdon nga 30maji me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, ndërsa një javë më vonë, 6 qershor, rikthehet konkurrenca në Superligë dhe Ligën e Parë.

Holandë:

Kampionati është anuluar, duke mos e shpallur asnjë skuadër kampione.

Portugali:

Ky vend iu është bashkuar ligave tjera evropiane, duke njoftuar se sezoni do të vazhdojë nga 4 qershori.

Maqedonia e Veriut:

Federata e Futbollit nuk ka caktuar asnjë datë për rikthimin e mundshëm në fushë, pasi po kërkon aprovimin nga ministria e shëndetësisë.

Suedi:

Suedia ka shmangur një mbylljet gjatë COVID-19 dhe shumë klube janë stërvitur. Kampionati mund të fillojë më 14 qershor.

Zvicër:

Është lejuar që sezoni të rifillojë më 8 qershor, dhe klubet janë kthyer në stërvitje nga 11  maji.

Turqi:

Superliga e Turqisë do të rifillojë më 12 qershor, dhe synojnë që sezonin ta përfundojmë më 26 korrik.

/Lajmi.net/