Futbolli na bashkon

Presidenti Zvicrës, Ueli Maurer, ka shprehur përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Ai ka thënë së Zvicra do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në integrimet europiane. Futbolli është konsideruar si urë lidhëse.

Lajme

18/11/2013 13:45

Presidenti Zvicrës,  Ueli Maurer, ka deklaruar se ekziston një lidhje e posaçme në marrëdhëniet në mes të shtetit të tij dhe Kosovës.

Gjatë një takimi që pati me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, Presidenti Maurer tha se Zvicra do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës.

“Zvicra do të vazhdojë edhe në të ardhmen ta mbështesë Kosovën në ecjen e saj drejt integrimeve”.

Ai vlerësoi kontributin që e jep diaspora shqiptare në Zvicër, duke përmendur edhe futbollistët  kosovarë që luajnë në reprezentacion zviceran.

“Lidhjet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të posaçme, duke qenë se në Zvicër jetojnë mbi 170 mijë shqiptarë të Kosovës”.

“Për më tepër, gjysma e kombëtares së Zvicrës, që do të merr pjesë në Kampionatin Botëror në Brazil – përbëhet nga kosovarët”.

Presidentja Jahjaga tha se ndihma e shtetit zviceran vazhdon të jetë e nevojshme në integrimet europiane të Kosovës, në stabilizimin e saj dhe ngritjen e kapaciteteve të sigurisë.

“Konfederata e Zvicrës është ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe duke dhënë përkrahje nëpër proceset që po kalon vendi ynë”.

Jahjaga ka thënë se Kosova vazhdon të jetë faktor i stabilizimit në rajon dhe këtë e ka dëshmuar edhe dialogu me Serbinë.

Ajo u shpreh se me procesin e zgjedhjeve të zhvilluara dje në Veri po përfundon edhe integrimi i serbëve të veriut.