Futbolli fitohet duke luajtur futboll: Liverpool merr tri pikë ndaj Everton, vazhdon garën për titull

Liverpool ka marrë tri pikë të mëdha në ndeshjen ndaj Everton.

Sport

24/04/2022 19:22

Skuadra e Jurgen Klopp ka marrë fitore të mundimshme me rezultat 2:0, përballë skuadrës së Everton, shkruan lajmi.net.

Në derbin lokal, futbollin sonte e bëri vetëm skuadra e Liverpool. ‘Reds’ sulmonin me të gjitha forcat kundër një muri të kaltër prej 10 lojtarëve.

Gjithçka ishte baras, deri kur ‘msyshi’ i Liverpool, Divock Origi erdhi në lojë në minutën e 60’.

Liverpool kaloi në epërsi në minutën e 62’. Golin e shënoi Andy Robertson me kokë, pas asistimit të dhënë nga Salah.

‘Reds’ vazhduan administrimin më të mirë dhe ‘vranë’ ndeshjen në minutën e 85’. Ishte sulmuesi belg, Divock Origi ai që gjeti golin kësaj radhe.

Kjo fitore e mbanë Liverpoolin me të gjitha shpresat në garën për titullin e Premier League. Skuadra e Klopp ka 79 pikë në pozitën e dytë, një më pak sesa Manchester City.

Everton në anën tjetër mbetet me 29  pikë në pozitën e 18 në tabelë dhe rrezikon rënien nga liga. /Lajmi.net/