“Fusha e Pajtimit” drejt shndërrimit në hapësirë publike rekreative

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka marrë pjesë në aktivitetet që janë organizuar me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, të cilat Komuna e Prishtinës i ka realizuar në bashkëpunim me OJQ Green Art Center – Prishtina dhe Qendrën për IT “ASSECO”.

Lajme

22/04/2015 16:31

Ahmeti ishte i pranishëm në mbëltimin e fidanëve në “Fushën e Pajtimit”, vend ky i cili më parë ishte shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave inerte dhe të amvisërisë.

Sipas tij, kjo pjesë e kryeqytetit nga një katastrofë ambientale, siç ishte kohë më parë, do të rigjenerohet duke u shndërruar në një hapësirë publike rekreative dhe park, ndërsa një pjesë e saj do të ketë edhe këndë të lojërave për fëmijë.

“Ne duhet ta rrisim sensibilizimin për mbrojtjen e ambientit, jo vetëm sepse është diçka pse Evropa e kërkon nga ne, jo pse na vijnë ambasadorët dhe në thonë se duhet ta bëni Kosovën më të pastër, por edhe ngaqë kjo është e rëndësishme për shëndetin tonë. Pastrimi i ambientit dhe ruajtja e tij nuk është vetëm detyrë e shtetit. Është detyrë e çdo qytetari dhe fillon nga qytetari”, tha kryetari Ahmeti.

Ambasadorja e Finlandës, Anne Meskanen, bëri thirrje që politikanët kosovarë të angazhohen për të investuar në politikat e mbrojtjes së ambienti, si dhe të shtyjnë përpara çështjen e menaxhimit të mbeturinave. Ajo tha se ka nevojë të madhe për një fushatë vetëdijesuese për mbrojtjen e ambientit.

Po ashtu, gjatë ditë së sotshme në sheshin “Zahir Pajaziti” u promovuan klubet e gjelbra dhe rrjeti Eco Friend. Njëkohësisht, prezantua edhe kompostimi në lagje, mekanizmi për trajtimin e mbeturinave organike si dhe një mori aktivitetesh në funksion të “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”.

unnamed (1) unnamed (2)