Fundi i lumtur i dialogut
Edita Tahiri pret që dialogu të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Serbisë. Për bisedimet teknike ajo vlerëson se zbatimi i tyre është duke shkuar mirë.

Lajme
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, pret që dialogu i Kosovës me Serbinë të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga fqinji i vet problematik verior.
“Përfundimin e këtij dialogu, sipas mendimit tim, do të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka thënë Tahiri në një intervistë për “Epoka e Re”.
Udhëheqësja e delegacionit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë thotë se “dialogu është një prej vlerave të politikës së jashtme të shtetit të ri të Kosovës”.
Sipas Tahirit, zgjedhjet lokale që u mbajtën në të gjitha komunat e vendit paraqesin dhënien e testit të demokracisë për Kosovën.
“Kosova ka dhënë testin e demokracisë edhe ka treguar që është shtet demokratik, i cili ka aftësi të mbajë zgjedhje të rregullta, të ndershme dhe demokratike”.
Ajo ka vlerësuar se mbështetja e shtetit serb për Listën Serbe, është një qasje jodemokratike, por ajo thekson se këto zgjedhje janë si rrjedhojë e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.
“Kam thënë se Serbia po mban një qasje jodemokratike pasi jep mbështetjen vetëm për një subjekt, ndërkohë që demokracia bazohet në parimet e shumësisë partiake”.
“Marrëveshja thotë qartë se zgjedhjet mbahen sipas ligjeve të Kosovës, prandaj edhe rezultatet dhe konstituimi i organeve bëhet sipas ligjeve të Kosovës.
Edita Tahiri ka thënë se ka qenë në Bruksel për të parë mbarëvajtjen e marrëveshjeve teknike.
Ajo implementimin e marrëveshjeve i ndanë në dy faza, atë teknik dhe atë politikë.
“Në fazën e parë janë marrëveshjet e dialogut teknik, për të cilat mund të them se zbatimi është duke shkuar mirë”.
“Sa i përket marrëveshjes së normalizimit, pra marrëveshjes së 19 prillit, ka përparim në drejtim të zbatimit, por mbetet shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të ndodhë zbatimi i plotë i saj”.
“Në veçanti në fushën e sigurisë ende ka mbetur pa u trajtuar me fajin e Serbisë çështja e zhbërjes së ashtuquajturës mbrotje civile, e cila edhe në këto zgjedhje është shfaqur me pengesa”, ka thënë Edita Tahiri.