Fund haraçit më 3 nëntor

LDK ka hapur fushatën në Ferizaj me apelin për t’i dhënë fund haraçit e parapolitikës në komunë duke votuar Muharrem Svarçën. Isa Mustafa premton se LDK do të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarit.

Lajme

07/10/2013 16:55

Muharrem Svarça i LDK’së ka thënë se nëse votohet për Kryetar të Komunës më 3 nëntor do t’i ndalë keqpërdorimet e parasë publike në këtë komunë qysh në 24 orët e para në detyrën e re.

Në një tubim në sallën e sporteve të Ferizajt, LDK ka hapur fushatën për zgjedhjet e sivjetme lokale me premtimin për qeverisje më të mirë se ajo që bën pushteti aktual në komunë.

Ndërsa Isa Mustafa, Kryetar i LDK’së, është shprehur i bindur për fitoren e subjektit që ai drejton.

“Ju uroj për fitoren të cilën do ta realizojmë më 3 nëntor. Kemi arsye të besojmë në fitore sepse kemi një të kaluar të lavdishme të cilën e kemi ndërtuar me Presidentin Ibrahim Rugova, e kaluar me të cilën ne të gjithë mburremi”, ka thënë Mustafa.

“Besojmë në një orientim shumë të qartë të kandidatit tonë sepse ne dimë të punojmë dhe do të jemi të përgjegjshëm para qytetarit të Ferizajt. Neve na nevojitet pushtet në të cilën do të besojë qyteti dhe ju garantojmë se ne do ta ndërtojmë atë pushtet”.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Ferizajt, Muharrem Svarça, ka kritikuar pushtetin aktual të komunës që udhëhiqet nga PDK për shkelje të premtimeve të dhëna.

Ai ka thënë se më 3 nëntor për LDK’në do të votojnë edhe shumë simpatizantë të PDK’së.

“Më 3 nëntor për ne do të votojnë shumë votues të deridjeshëm të PDK’së të cilët janë të zhgënjyer me kryetarin aktual dhe me qeverisjen e PDK’së sot.

“Unë i arsyetoj ata pse e votuan PDK’në, sepse këtë e bënë me sinqeritet për ta respektuar luftën dhe gjakun e derdhur, por ata e keqpërdorën këtë besim dhe sinqeritet duke keqqeverisur pasi i morën votat”.

Sipas Svarçës, Ferizaj është qyteti i dytë që kontribuon në buxhetin e Kosovës me nga 100 milionë euro në vit por qeveria e Kosovës, sipas tij, për katër vite ka investuar vetëm 20 milionë euro për këtë komunë.

“Ferizaj po shndërrohet në një qytet të harruar me tendenca të përbuzjes, nënçmimit, poshtërimit.

“Nga ajo ditë do të përfundojë keqqeverisja e PDK’së, do të përfundojnë vjedhjet, do të përfundojë haraçi i tenderëve, qeverisja parapolitike dhe ajo e padronëve e këtij qyteti të bukur sepse ferizajasit e meritojnë qeverisjen e mirë të LDK’së”, ka thënë Svarça.