Fule rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Komisoneri i BE'së, Stefan Fule, ka rikonfirmuar vendosmërinë e Komisionit Europian për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj europiane, gjatë një takimi që ka pasur me Ministrin Enver Hoxhaj në Bruksel.
Lajme
Komisionari Europian për Zgjerim dhe Politika Fqinjësore, Stefan Fule, ka përgëzuar shefin e diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, si dhe për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ai, po ashtu, ka rikonfirmuar vendosmërinë e Komisionit Europian për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj europiane, njofton Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Fule të mërkurën ka pritur në një takim në Bruksel Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, me të cilin ka biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar si faktor kyç në transformimin e vendit edhe në kuptimin e integrimit edhe relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj dhe Fule, gjithashtu kanë diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale, duke u pajtuar se pa Kosovën bashkëpunimi rajonal nuk është i plotë, duke qenë se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe rajonit.
Gjatë këtij takimi Ministri Hoxhaj e ka falënderuar Komisionarin Fule për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, sa i takon procesit negociues dhe agjendës kohore të negocimit.
Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për Kosovën ky proces, duke qenë se është marrëdhënie kontrakuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e Kosovës eropiane si dhe për reformimin e vendit.
“Pa dyshim se ky është hapi i parë i pakthyeshëm i anëtarësimit tonë në BE”.