Fuad Ramiqi akuzohet për veprën penale “Thirrje për rezistencë”?

Udhëheqësi i Lëvizjes Islamike Bashkohu - LISBA, Fuad Ramiqit duket se po i kushton një deklaratë e dhënë dy javë më herët për media.

Lajme

18/09/2014 21:18

Ai ka thënë se ata nuk do të rrinë duarkryq “përballë terrorit që po iu bëhet qytetarëve islamë nga pushteti i terrorit”.

“Po vazhdon terrori shtetëror ndaj myslimanëve dhe prijësit tonë po maltretohen. Kjo është një dukuri që nuk mund të imagjinohet brenda popullit tonë”, ka thënë Ramiqi.

Ai e ka quajtur pushtetin e vendi si pushtet diktatorial, derisa ka shtuar se nuk do të rrinë duarkryq.

“Do të marrim hapa në ditët në vijim, por po presim të marrim vesh çka po bëjnë këta dhe deri ku do të shkojnë me këtë terror”, ka thënë ai.

E pikërisht kjo është edhe baza mbi të cilën kreu i LISBA-s është arrestuar. Kjo është edhe aktakuza ndaj tij:

Ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, pas arrestimeve të fundit të personave të dyshuar për terrorizëm, me datën 05.09.2014, në paraqitjet e tij publike ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë, në atë mënyrë që ka deklaruar se… “nuk do të rrinë duarkryq përballë terrorit”, që sipas tij “po ushtrojnë institucionet kundër myslimanëve në Kosovë.

Me këtë kishte për të kryer vepër penale Thirrje për rezistencë, nga neni 411 KPRK-së, shkruan Indeksonline.