Ftojnë në protesta studentët dhe tifozët e futbollit gjilanas

Organizatorët e protestave të studentëve para Rektoratit kanë qenë në Gjilan në kërkim të mbështetjes për protestën e së hënës. Përveç studentëve, ata kërkuan mbështetje edhe nga tifozët sportivë gjilanas.

Lajme

08/02/2014 13:54

Përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim, përfaqësuesit e Klubit Politik të Studentëve si dhe përfaqësues të shoqërisë civile lokale, kanë ftuar të shtunën gjilanasit që t’i bashkohen protestës  studentore në kërkim të dorëheqjes së Rektorit të UP’së, Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues të universitetit.

Përveç me studentët, ata kanë kërkuar pjesëmarrje në protestën e së hënës edhe nga dy grupet e tifozëve sportivë të Gjilanit, “Sfifterët” dhe “Intelektualët”, raporton agjencia rajonale e lajmeve 2lonline.

Fitim Salihu nga Klubi Politik i Studentëve ka theksuar se të hënën do të ketë organizim nga të gjitha qendra e Kosovës.

“Protestat po hyjnë tani më në javën e tretë, është një ngjarje e madhe dhe të gjithë  qytetarët  duhet ta përkrahin rininë, t’i dalin në mbrojte atyre prej dhunës policore”, ka thënë Salihu.

Ndërsa Astrit Dehari nga Lëvizja studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim tha se Universiteti i Prishtinë dhe universitetet tjera në Kosovë janë pasuri e tërë popullit të Kosovës.

“Universiteti i Prishtinës është truri i shoqërisë andaj tërë populli duhet të marrë pjesë  në debate e protesta  që i përkasin Universitetit për shkak se janë tatimpagues dhe formues të Universitetit”, tha Dehari.

Ndërsa  Granit Mustafa, përfaqësues i grupit të tifozëve “Skifterat”, ka thënë se  kanë vendosur që të hënën t’i përkrahin protestat e studentëve  dhe u ka bërë thirrje gjithë “Skifterëve” që të dalin  në protesta të studentëve, që të qojnë deri në fund këtë protestë me kërkesa legjitime.

Edhe Egzon Ademi, nga grupi i tifozëve “intelektualët”, ka thënë se individualisht i kanë përkrahur protestat edhe përgjatë ditëve tjera,  por se nga e hëna do të dalin edhe si grup në përkrahje.

“Këtë do ta bëjmë  për shkak se përkrahim një rini studentore, që po e bënë këtë për të mirën e vendit, dhe ne duhet ta përkrahim protestën sepse tekefundit edhe ne jemi krejt studentë”, ka thënë Ademi, raporton 2lonline.