FSSH mbulon shpenzimet për trajtimin shëndetësor të Erion Haxhnikajt

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) sot ka lëshuar fletëzotimin për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit mjekësor të Erion Haxhnikaj jashtë institucioneve shëndetësore publike në vlerën prej 30 mijë eurove.

Lajme

24/02/2020 15:31

Vendimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është bazuar në raportin mjekësor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) të datës 19 shkurt 2020 me ç’rast pacienti rekomandohet për trajtim emergjent mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Fletëzotimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është lëshuar në mbështetje të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2017 për Trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike (trajtimi mjekësor nuk duhet të kalojë shumën e çmimit referent apo profaturës më të lirë për të cilën është lëshuar fletëzotimi ).

Për shumën përfundimtare të trajtimit, po në mbështetje të këtij Udhëzimi, vendos Bordi Ekzekutiv i Fondit bazuar në raportin përfundimtar mjekësor dhe financiar të lëshuar nga institucioni hospitalizues.

“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore zotohet për përmbushje të obligimit financiar ndaj institucionit në momentin e përfundimit të procedurave administrative në bazë të fletëlëshimit dhe të faturës së shpenzimeve nga institucioni”, shkruhet në njoftim.