FSK ndihmon në parandalimin e përmbytjes afër Durrësit

Pas gjendjes së përkeqësuar nga vërshimet në disa rrethe të Shqipërisë së mesme dhe të jugut, Qeveria e Shqipërisë, përkatësisht Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që me trupat e saj të ndihmojë në përballimin e gjendjes së krijuar.

Lajme

08/02/2015 15:56

Pas vendimit të ministrit, Haki Demolli dhe marrjes së urdhrit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, një kontingjent i Task Forcës së FSK-së për kërkim-shpëtim në ujëra dhe i pajisur me mjetet teknike të specializuara, më 5 shkurt ka mbërritur në Shqipëri, në mbështetje të ushtrisë shqiptare, për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar pas vërshimeve.

Autoritet shqiptare duke e parë, që Diga në fshatin Merkuras të Kavajës konsiderohet se është pika më e ndjeshme për momentin, kanë angazhuar kontingjentin e FSK-së, që së bashku me ushtarët shqiptarë në vënien në funksion të pompave, me qëllim të uljes të nivelit të ujit në digë.

Më 6 shkurt, kontingjentin e Task Forcës së FSK-së, në vendin e operacionit e vizitoi komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, koloneli Shaip Haziri, atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, kolonel Fiqri Hoxha dhe atasheu i Republikës së Kosovës në Shqipëri, nënkolonel Enver Dugolli, raporton KosovaPress.

Udhëheqës i ekipit të FSK-së, nëntogeri Drilon Llalloshi tha se më 5 shkurt kanë filluar punën në Liqenin e Durrësit, në fshatin Merkuras, ku pas reshjeve të fundit është ngritur niveli i ujit që rrezikon dëmtimin dhe shembjen e dheut në këtë digë.

Ekipi i specializuar i FSK-së po e ndihmon ekipin e kërkim-shpëtimit shqiptar për uljen e   nivelit të ujit në digë. “Siç po e shihni ne jemi së bashku me ushtarët e Shqipërisë të cilët kanë qenë paraprakisht këtu, të cilët e kanë parë të arsyeshme që FSK-ja, të vijnë me pajisje dhe personel, meqenëse të reshurat dhe uji janë duke u rritur vazhdimisht”.

Në fund, nënkolonel Dugolli tha se “FSK-ja është e gatshme të intervenojë edhe në vende të tjera, po qese autoritet shqiptare e shohin të arsyeshme”. (KosovaPress)