FSK-ja ende në kërkim të Arlind Gashit

Ministri Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati, me bashkëpunëtorë vizituan njësinë e Task Forcës së kërkim-shpëtimit, pjesëtarët e së cilës po vazhdojnë operacionin për kërkimin e Arlind Gashit nga fshati Rufc i Vjetër, komuna e Lipjanit, që dyshohet se ka rënë në lumin Sitnicë.

Lajme

09/02/2015 18:18

Me këtë rast toger Besnik Hasani udhëheqës i njësitit të kërkim–shpëtimit të FSK-së, e njoftoi ministrin dhe komandantin e FSK-së, me operacionin e kërkim-shpëtimit, që nga marrja e urdhrit operativ, më 6 shkurt, ku Njësiti i kërkim-shpëtimit i specializuar në ujëra, me njëzet pjesëtarë kanë filluar kërkimin në shtratin e lumit Sitnica, në fshatin Rufc të Vjetër, në një gjatësi prej 3 kilometrave, ku dyshohet se ka rënë Arlindi.

Me gjithë kushtet e vështira atmosferike, në temperaturat e ulëta dhe ngritjen e nivelit të ujit, njësiti i FSK-së, qe tri ditë nuk është ndalë së kërkuari deri në këtë moment, por, ajo që po e vështirëson gjetjen e trupit të tij është jo dukshmëria e ujit, mbeturinat që ka bartur lumi dhe temperatura e ulëta.

Ministri i FSK-së, Demolli tha se edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, me të reshura të dendura, uljen e temperaturave dhe rritjen e nivelit të ujit, ekipi i kërkim-shpëtimit të FSK-së për asnjë moment nuk e ka ndalë kërkimin për gjetjen e të riut Arlind Gashi, i cili dyshohet se ka rënë në lumin Sitnica.

Po ashtu, me këtë rast ministri dhe komandanti i FSK-së takuan Agim Gashin, babanë e Arlindit, të cilit i shprehën përkushtimin e FSK-së se do të bëhen përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e Arlindit.